Pjesa e dytë/ Në Shënjestër

Por përse Kastriot Reçi u ekzekutua në atentatin mafioz. Cilat ishin hasmëritë ku familja e tij ishte futur, kohë pas kohe me familjen Gjini?

Dy familje me influencë në qytetin e vogël të Rrëshenit, në mesin e veriut të Shqipërisë, qytet që papritur ishte kthyer në një skenë gjakësore midis familjeve të cilat dyshohet se po eliminonin njëra-tjetrën, sipas dinamikës së sagës së vrasjeve.

Eliminimi i Kastriot Reçit më 7 janar 2020, në qytetin e Rrëshenit, erdhi pas vrasjes së Armando Gjinit, që mbante edhe emrin Tonin, i cili u ekzekutua në sy të dy fëmijëve të tij, më 12 gusht 2019, pranë Katedrales së qytetit të Rrëshenit.

Personazh që njihej si pjesë e grupit të Met Kananit, të cilin, mediat turke e kanë konsideruar ndryshe edhe si ‘Escobari i Shqipërisë’, ngjarje, e cila ishte paraprirë më herët, më 5 maj 2019, nga një atentat i dështuar me eksploziv të vendosur në makinën e tij, të cilën ai e kishte pikasur në kohë dhe mundi të mbijetonte, por që intuita nuk do ta ndihmonte t’i shpëtonte jetën në atentatin e dytë, ku grupi hetues, sipas dosjes së siguruar nga emisioni “Në shënjestër” dyshon se porositësi i vrasjes është Kastriot Reçi, i cili, siç do të rezultojë edhe në informacionet e mbledhura nga grupi hetimor, ishte në konflikt me Preng Gjinin, vëllain e Armando Gjinit, ku në mes do të ishin pazaret e prishura të drogës.

Dosja Hetimore

Lidhur me ngjarjen e datës 12.08.2019, ku është vrarë shtetasi Armando Gjini, dyshohet se organizator i kësaj vrasje ka qenë shtetasi Kastriot Reçi, i cili ka paguar persona profesionistë për të kryer krimin, ku motivi është për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ndërmjet Gaspër Reçit i cili është vrarë në Itali në vitin 2017 dhe Preng Gjinit, ku bëhet fjalë për një sasi të madhe droge me vlerë rreth 1 milion euro.’

Do të ishte ky pazar i prishur droge në Itali, midis Gaspër Reçit dhe Preng Gjinit, që do të niste një sagë të gjatë hakmarrje, vrasje të cilat nuk kishin filluar me eliminimin e ndërsjelltë të Armando Gjinit dhe Kastriot Reçit dhe as nuk do të përfundonin këtu, pasi vrasja e parë që do të hapte serinë e pambarimtë të eliminimeve, do të ishte ajo e Saimir Jakut, vrasje kjo, e ndodhur më 9 shtator 2016, ku dy persona të armatosur qëlluan për vdekje me kallashnikov, drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për Veriun të OSSHE-së, ndërsa ky i fundit po konsumonte kafenë me një mikun e tij në një nga lokalet më të frekuentuara të qytetit, mik i cili, mbeti edhe vetë i plagosur rëndë nga ky atentat.

Vrasje për të cilën grupi hetues kishte informacione se sërish porositës ishte Kastriot Reçi, i cili, mesa duket, siç shikohet edhe nga informacionet që disponon grupi hetues, do të mbetej edhe vetë viktimë e hakmarrjes së palës tjetër.

Dosja Hetimore

Ka të dhënë se vrasja e Kastriot Reçit është kryer për hakmarrje pasi viktima është porositës i vrasjes së shtetasit Saimir Jaku.

Nëntë muaj pas vrasjes të Jakut, një tjetër atentat, këtë herë në Itali, do të pasonte serinë e vrasjeve, ku i eliminuari i radhës do të ishte Gaspër Reçi, vëllai i Kastriot Reçit, i cili u ekzekutua më 28 prill 2017, me katër plumba në kryeqytetin italian, Romë.

Gasper Reci, 43 vjeç u qëllua në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet e palës italiane nuk u arrit të identifikohej asnjë autor për ngjarjen.

Personi i vetëm që ishte me viktimën në banesë në momentin e atentatit rezultonte të ishte vajza e tij.

Hetuesit italianë thanë mbi ngjarjen se Gaspër Reçi kishte disa precedentë penalë në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes hetimore, Gasperi ishte në përplasje të forta me Preng Gjinin.

Një sasi e madhe droge e humbur në Itali, do të sillte edhe përplasjen midis dy familjeve nga Mirdita.

Dosja Hetimore

Preng Gjini dyshohet të ketë vrarë në Itali, Gaspër Reçin, vëllain e Kastriot Reçit.

Pas kësaj ngjarje dyshohet se Preng Gjini ka qenë në Shqipëri në shoqërinë e dajës dhe në një lokal në Tiranë ku kanë qëndruar disa orë dhe këtë veprim e kanë bërë për të justifikuar vendndodhjen e tyre, për të krijuar alibi, por duket se përplasja midis dy fiseve nuk do të përfundonte këtu, tashmë duke i zhvendosur ngjarjet nga Italia në Belgjikë. Viktima e radhës do të ishte Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut, drejtorit të OSSHE-së të ekzekutuar, vetëm një vit përpara kësaj ngjarje. 31-vjeçari u ekzekutua më 6 shtator 2017 në komunën Forest.

Vetëm disa muaj pas eliminimit të Gaspër Reçit në Itali, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Vrasja e tij ishte lemeritëse, pasi u krye në lokalin ku punonte në sy të koleges së tij.

Edhe kjo, një vrasje të cilën hetimet e lidhën me ato të ndodhura në aksin Romë-Rrëshen, ku sërish sipas informacioneve të policisë, porositës del Kastriot Reçi.

Dosja Hetimore

Kastriot Reçi ka porositur vrasjen e nipit të Saimir Jakut në Belgjikë, shtetasit Kreshnik Gjini. Kjo vrasje ka ndodhur pas viktima ishte shprehur se fisi i tij Gjini, ka vrarë Gasper Reçin dhe vrasja e Saimir Jakut është porositur nga Kastriot Reçi dhe është kryer nga vrasës me pagesë.

Duket se vrasja e nipit të familjes Gjini në Belgjikë, do të shënonte edhe fundin e Kastriot Reçit. Hak i cili do të merrej edhe për anëtarët e tjerë të familjes Gjini, që ishin ekzekutuar nga familja Reçi, ku tashmë porositësi i vrasjes së Kastriot Reçit, gjithmonë sipas grupit hetues, dyshohet të jetë Preng Gjini.

Por ku ajo që përbën habi, siç do të shikohet edhe nga informacionet e siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, që disponohen edhe nga grupi hetimor, është fakti që edhe pse policia kishte informacione se Preng Gjini kishte nisur përgatitjet për eliminimin e Kastriot Reçit, pavarësisht këtij informacioni, policia nuk mundi ta parandalonte këtë krim.

Grupi hetimor

Në bazë të informacionit që kemi datë 08.11.2019, thuhet se shtetasi Preng Gjini është duke u përgatitur për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij. Objekti është Kastriot Reçi, i cili dyshohet se është organizator i vrasjes së vëllait të tij.

Po sipas informacioneve që kemi, për këtë qëllim, Preng Gjini e ka dërguar familjen në Itali, ndërsa vetë është duke qëndruar në Shqipëri për t’u hakmarrë.

Po kështu Preng Gjini është duke u përgatitur për të vrarë dy veta nga familja Reçi.

Ku objektiv është Kastriot Reçi, me të cilin ka pasur konflikte për shkak të trafikut të drogës.

Siç do të shikohet edhe në vazhdim policia u mjaftua vetëm me mbledhjen e informacioneve dhe ndonjë gjurme që la pas krimi.

Kjo pasi Kastriot Reçi, u eliminua më 7 janar 2020, në qendër të Rrëshenit, në distancë me snajper, ku edhe këtë herë policia nuk mundi të shkojë dot te prangat.

Dosja hetimore

Nga informacionet që kemi vrasjen e shtetasit Kastriot Reçi e ka organizuar Preng Gjini. Konflikti mes tyre është për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku para tre vitesh Gaspër Reçi i ka grabitur Prengës një sasi të madhe droge që kap vlerën e 1 milion euro.

Për këtë motiv dyshohet se është vrarë në Itali më 28.04.2017, shtetasi Gaspër Reçi.

Në vijim të këtij konflikti më datë 28.08.2018 dyshohet të jetë qëlluar me armë Arben Gjini, kushëri i Preng Gjinit.

Policia dyshon se Preng Gjini e organizoi vrasjen e Kastriot Reçit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij Armando Gjini, ku fillimisht hetuesin besuan se snajperisti që ekzekutoi Reçin, ishte serb, por kohët e fundit, “Në shënjestër” ka mësuar se grupit i hetimit ka marrë në konsideratë edhe disa ish-pjesëtarë të forcave speciale, ku, një ish pjesëtar i forcave të RENEA-s u shoqërua në polici, si i dyshuar, por ADN-ja e tij nuk rezultoi e përputhshme me AND-në e gjetur në rrobat e përdorura nga vrasësi, por teksa policia po vëzhgonte një tjetër personazh të botës së krimit, që duket se vendqëndrimin e ka në Kosovë, një tjetër një tjetër atentat u shënua në Tiranë.

Ku pas eliminimeve të radhës të Armando Gjinit më 19 gusht 2019 dhe Kastriot Reçit më 7 janar 2020, por edhe shënjestrave të mëhershme, viktima e radhës e këtij konflikti të gjatë dhe të përgjakur, do të ishte vetë Preng Gjini, i cili, mbeti i plagosur rëndë në shpërthimin me eksploziv të vendosur në makinën e tij në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur më 15 shtator 2020.

Atentat që shokoi opinionin publik për ashpërsinë, por edhe për vendin që autorët kishin zgjedhur për planin e tyre të radhës të eliminimit, një urë mbi lumin Lana, në zonën dhe pikun e trafikut, ku lëvizin shumë njerëz, ku edhe pse Preng Gjini kishte marrë masa për t’i shpëtuar armiqve të tij, duket se ata ishin një hap përpara në vëzhgimin që kishin nisur ndaj tij, aq sa shënjestrën e atentatit nuk e ndihmoi as fakti që ditën e ngjarjes ndërroi makinën me kushëririn e tij, ku në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen u pyet edhe Fatjon Dautaj, kushëriri i Preng Gjinit, i cili rezultoi të jetë pronari i automjetit tip “Mercedes Benz”, ku ishte vendosur lënda eksplozive.

Fatjon Dautaj

Më datë 15.09.2020 makinën me targë ‘AA903YG’ e kam përdorur unë deri në orën 17:30. Më pas ia kam dhënë kushëririt tim Preng Gjini, ku ky i fundit më la makinën e tij tip “Mercedes Benz ML”, ngjyrë gri.

Pasi ndërruam makinat unë qëndrova edhe pak kohë në zyrën time dhe më pas u nisa të marr makinën e Preng Gjinit, e cila ishte e parkuar te Shkencat Sociale.

Kur po shkoja të merrja makinën, te ura e Nesherakut pashë makinën të cilën ia kisha dhënë Preng Gjinit. Shkova me vrap te makina dhe pashë Prengën të plagosur.

Në lidhje me ngjarjen u pyet edhe vetë shënjestra e atentatit, i cili ashtu siç pritej mohoi të ekzistonin konflikte midis familjes së tij dhe asaj Reçi.

Dosja Hetimore

Preng Gjini deklaron se një vit më parë i kanë vrarë vëllain. Ai thotë po kështu se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt apo hasmëri.

Të njëjtën gjë mohuan në dëshmitë e tyre edhe familjarë të Kastriot dhe Gaspër Reçit, dy vëllezërve të vrarë në konfliktin me familjen Gjini.

Ku edhe pse policia ushtroi kontroll në banesat e vëllezërve Reçi, nuk gjeti asgjë të kundraligjshme që mund t’i lidhte me atentatin ndaj Preng Gjinit. Madje ata mohuan të kenë dijeni se edhe kush u kishte vrarë vëllezërit.

Ndërkohë që policia dhe grupi hetues u mjaftuan vetëm me informacionet e marra në rrugë operative, ku sipas tyre rezulton se ngjarja ka ardhur si pasojë e konflikteve që familja Gjini ka me familjen Reçi nga qyteti i Rrëshenit, për shkak të prishjes së pazareve të drogës në shtetin italian, midis Gaspër Reçit dhe të dëmtuarit, Preng Gjini.

Pazare që sollën edhe kaq shumë viktima ndër vite.

Por a do të jetë ky atentat kapitulli i fundit i një serie të gjatë vrasjesh që kanë shoqëruar familjet Reçi dhe Gjini, ku deri më tani janë numëruar mbi 5 të vrarë,

apo pazaret e drogës midis dy familjeve do të vazhdojnë të prodhojnë viktima të tjera, ndërsa shteti do të vazhdojë të mbledhë kufomat e tyre.

Apo më keq akoma informacione që nuk i shërbejnë parandalimit të këtyre krimeve që e kanë kthyer një qytet të vogël në anë të Shqipërisë, si Rrësheni, në qytetin varrmihës të krimit midis dy familjeve që luftojnë për pozitat e drogës.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb