TIRANË

Turizmi në Shqipëri është në fokus të emisionit të sotëm “Dritare me Rudinën” në News24. Të ftuarit, ministri i Turizmit Blendi Klosi, kryetari i Bashkisë së Kavajës Isa Sakja, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kreu i unionit turistik Rrahman Kasa, Xhevit Hysenaj i shoqatës së bimëve mjekësore dhe gazetari Edvin Parruca kanë diskutuar për ato çka ofron turizmi shqiptar dhe problemet me të cilat ndeshet.

Ministri Klosi tha se turistët janë të shqetësuar nga dhuna në protesta dhe se vitin e kaluar ka pasur një entuziazëm më të madh për sektorin, por vlerësoi atë që ofrohet në Shqipëri dhe zhvillimin e strukturave me standarde të larta. Klosi tha se turistët sot kanë çfarë të shohin në Kavajë.

Nga ana tjetër kreu i Bashkisë së Kavajës Isa Sakja tha se në zonën e tij ndodhet resorti më i bukur në Shqipëri duke iu referuar Prestige Resort. Ai e cilësoi zhvillimin e turizmit meritë të biznesit dhe tha se investimet e qeverisë kanë munguar.

Rrahman Kasa: Është pak e ndërlikuar sepse ne themi që ka, ndoshta në këtë periudhë nuk ka shumë anulime por shqetësimi është. Protesta ka në të gjithë botën. Ata thonë ne protestat i mirëkuptojmë por të mos ketë dhunë në protesta. Ajo i shqetëson dhuna.
Ata janë europianë, nga imazhi që kanë për Shqipërinë thonë pse të shkojmë atje t’i hapim punë vetes.

Ministri Klosi: Kemi shumë vite që jemi në botën e turizmit por dy vitet e fundit jemi tamam destinacion turistik. Ka qenë një debat shumë i shëndetshëm për ekonominë shqiptare. Këto nuk kanë ardhur rastësisht por me një politikë afatgjatë. Turistët kanë ç’të shikojnë në Kavajë. Ka një situatë shumë pozitive për turistët. Kemi mundësi çfarë t’i ofrojmë turizmit. Vjet pati një entuziazëm të madh të sektorit. Industria e hoteleve në Shqipëri po shndërrohet në industri avangardë. Strukturat që po ndërtohen janë struktura me standarde.
Kjo historia e protestave duket sikur nuk ndikon seriozisht por ndikon tek entuziazmi. Maji ka rënie, me shumë pak mijë por ka rënie. Ne duam të vazhdojmë shifrat e 2018. Ne nuk tentojmë turizëm të lirë por që paraja e shpenzuar ka vlerë. Në momentin që ata vijnë dhe përballen me dhunë…
Ditën që bëhet protesta në Tiranë po të kalosh në një rrugë tjetër është plot. Të rinjtë nuk e kanë, shqiptarët nuk e kanë sepse e dinë që nuk ndodh gjë.

Isa Sakja: Çfarë tha z.Klosi janë të vërteta, që nga hotelet e deri tek ushqimi por janë vepër e bizneseve. Qeveria duhet të krijojë klimën. Protesta nuk është i vetmi problem për turizmin në Shqipëri. Kemi probleme nga A-ja tek Zh-ja. Kryeministri ka ardhur me z.Klosi dhe kanë inauguruar hotele në zonën time dhe shiritin e priste Dako pse, sepse thotë mos ma sillni atë.
Ka filluar një shëtitore buzë detit, me 12 cm beton tek ne, me 70 e ca në Durrës. Bashkëpunimi me biznesin është i domosdoshëm. Investimet nga qeveria në zonë turistike kanë munguar. Resorti më i bukur në Shqipëri është në zonën time. Prestige Resort.

Leli: Pakti me gazetarët është që në sezon turistik të minimizohen lajmet e këqija. Unë ua them gazetarëve të qytetit tim, më shani mua, mos e shani Vlorën.
Klosi: Ne duhet të jemi realistë. Të krijojmë sa më shumë tryeza pune kudo në Shqipëri për të gjetur problemet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb