Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar ashpër për situatën e krijuar në vend prej revoltës studentore e cila vijon në ditën e pestë, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
Salianji e cilëson keqqeverisjen e Ramës si përgjegjëse për përplasjet mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, duke theksuar se të dyja palët përballen me të njëjtat shqetësime dhe pasiguri.
Sipas tij, nga njëra anë janë qytetarët e varfër dhe të rinjtë që ndihen të shtypur e të keqtrajtuar, ndërsa nga ana tjetër punonjësit e policisë, të cilët deputeti i PD-së i cilëson si të keqtrajtuar dhe të përdorur nga pushteti.
Reagimi i Salianjit:
Shqipëria po përjeton sot një përplasje të fortë prej keqqqeverisjes se Edi Ramës. Ai është përgjegjës, dhe ka ndarë dy palë që në thelb kanë të njëjtat halle: qytetarëve të varfër, të rinj të shtypur dhe të keqtrajtuar nga njëra anë, dhe punonjës të Policisë, të keqtrajtuar e të përdorur nga pushteti, nga ana tjetër.
Ata nuk janë armiq. Ata kanë të njëjtat shqetësime, të njëjtën pasiguri dhe të njëjtën nevojë për dinjitet.
Përgjegjësia politike për këtë përplasje i takon Edi Ramës që i vë qytetarët përballë njëri-tjetrit, në vend që t’u japë zgjidhje halleve të tyre.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë përçarje, dhunë dhe padrejtësi. Ka nevojë për përgjegjësi, dinjitet dhe ndryshim.
Edi Rama, jep dorëheqjen!
