Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në samitin e BERZH që po mbahet në Londër. Rama është shfaqur i buzëqeshur në krah të kryeministrit kosovar Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij ai tregoi planet dhe projektet e qeverisë, duke nisur me Portin e ri të Durrësit, e duke përfunduar te digjitalizimi.

“Porti tregtar do të nxirret jashtë qytetit. Kemi bërë dhe aeroporte të reja, siç është ai i veriut. Përparësia e 4 është digjitalizimi i plotë dhe investimi për të afruar sa më shumë Shqipërinë. Vijojmë të ruajmë çmimin e energjisë për familjarët dhe bizneset. Po bëjmë të pamundurën që të mbajmë në këtë fazë çmimin, edhe pse tregu shkon në krah tjetër.

Pas dy tenderave të suksesshëm për energjinë fotovoltaike, ne po ecim para dhe po shkojmë më tej me studimin për energjinë e erës. Do përfitojmë sasi shtesë të energjisë nga prodhimi në det dhe në të njëjtën kohë po eksplorojmë dhe prodhimin e hidrogjenit përmes parqeve voltaike. Energjia hidrike mbetet burimi ynë më i rëndësishëm”, tha Rama.

Digjitalizimi sipas Ramës është një ndër pikat kryesore që po punohet. Ai tha se thuajse të gjitha shërbimet për qytetarët janë vendosur online, duke shtuar se janë në proces për të miratuar në parlament një legjislacion që do e bëjnë Shqipërinë një vend më liberal.

“Siç erdhi pyetja në frëngjisht do të thoja që kemi një kompani AKOR. Kjo punë po vazhdon edhe me brendet e tjera. Unë mendoj që po ecim në një rrugë të mbarë. Unë e ceka digjitalizimin më parë dhe dua të them se kemi digjitalizuar të thuajse të gjithë shërbimin për qytetarët. Në të njëjtën kohë kemi vendosur një theks te edukimi me energjinë e re. Jemi në proces për të miratuar në parlament një legjislacion që do e bëjë Shqipërinë vendin më të jashtëzakonshëm dhe liberal”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb