PARIS – Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, që pritet të nis sot në Paris. Ka qenë Presidenti francez, i zoti i shtëpisë, Francois Hollande ai që ka pritur në pallatin Elysee vetë kryeministrin Rama të zbresë nga automjeti i tij, e më pas kanë shtrënguar edhe duart. Sakaq, në takimin qendror do të jenë të pranishëm edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

RAMA TAKON VUÇIÇ, KRYEMINISTRI SERB: SË SHPEJTI NJË TAKIM TË SERBËVE DHE SHQIPTARËVE
Kryeministri Edi Rama është takuar sot me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç në Paris, ku dy liderët po marrin pjesë në samitin që do mbahet në kryeqytetin francez me liderët e Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së tij, Vuçiç ka folur për një takim që pritet të mbahet së shpejti mes biznesmenëve e politikanëve nga Serbia dhe Shqipëria. “Takimi do të organizohet me politikanë dhe ekonomistë për dy ose tre muaj, për të parë se si Beogradi dhe Tirana dhe Serbia dhe Shqipëria mund të afrohen dhe për të arritur marrëdhënie më të mira. Kjo është e mirë për diasporën tonë, për paqen dhe stabilitetin në rajon, por dhe për ekonominë tonë”, pohoi kryeministri serb.


Sakaq, Vuçiç sqaroi më tej se në takim do të jenë të pranishëm ai vetë, dhe kryeministri Rama, si dhe biznesmenë nga Shqipëria edhe Serbia-por shtoi se do të marrin pjesë edhe shqiptarë dhe serbë nga Kosova. “Ne duam marrëdhënie më të ngushta dhe më të mira dhe kemi rënë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin në interes të serbëve dhe shqiptarëve”, tha Vuçiç.


SAMITI
Në këtë samit, që është i treti me radhë në kuadër të të ashtuquajturit “Proces i Berlinit”, marrin pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi Millo Gjukanoviç, e të tjerë. Do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët më të lartë të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë takim marrin pjesë edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, Sllovenisë dhe Kroacisë.


Procesi i Berlinit është një nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, për të mundësuar ndërlidhjen rajonale të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas këtij aktiviteti, kryeministri Rama do të jetë në datën 9 korrik, në një tjetër samit. Këtë herë, ai do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Varshavë, sipas ditarit të Kryeministrisë.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb