“Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor janë takuar sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për një samit që synon të sigurojë rajonin për një të ardhme të sigurt, mes frikës së rritjes së ndikimit rus dhe kinez.”, shkruan Reuters.

Më tej vijon: “Udhëheqësit e gjashtë vendeve ballkanike të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë shprehur prej kohësh zhgënjimin për mungesën e negociatave.”

BE-ja kërkon të sigurojë Ballkanin Perëndimor për pranimin mes frikës së ndikimit rus.

Ndërsa ngurrimi për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së është i përhapur në mesin e shteteve anëtare, pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë ata të përqendrojnë më shumë energji në afrimin e rajonit me bllokun.

“Jam absolutisht i bindur se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së dhe ne po punojmë shumë për të bërë përparim,” tha në fillim të takimit shefi i Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Në një hap konkret drejt integrimit, operatorët e telekomunikacionit nga BE dhe liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje në fillim të samitit për uljen e tarifave të roaming-ut të të dhënave nga tetori 2023.

Ndërsa disa nga udhëheqësit e Ballkanit e mirëpritën atë hap.

“Kosova do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti,” tha presidentja e saj, Vjosa Osmani-Sadriu, duke shtuar se ajo shpreson se një samit i BE-së javën e ardhshme do të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Tensionet e vjetra brenda rajonit ishin gjithashtu të qarta pasi presidentja e  Kosovës kritikoi qëndrimin e Serbisë dhe tha se Kosova ishte “100% në linjë” me pikëpamjet e BE-së.

“A do të qëndroni me Ukrainën sot apo do të qëndroni me Rusinë, duhet të ketë rëndësi nëse keni sanksione kundër Rusisë apo jo”, tha Osmani.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha teksa mbërriti në samit: “A është Serbia shumë afër Rusisë? Serbia është një vend i pavarur”. Serbia, tha ai është “në rrugën e BE-së dhe kështu do të mbetet”, por gjithashtu duhet të mbrojë interesat e veta.

“Synimi i BE-së është t’i japë stabilitet më të madh një rajoni që doli nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat etnike të viteve 1990, por që ende është i mbërthyer nga tensionet, shkruan më tej The Reuters.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: