Deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Kosovën kanë shkaktuar reagime të forta edhe në Tiranë.
Gjatë vizitës së tij në Serbi, Zelensky konfirmoi se qëndrimi i Ukrainës për pavarësinë e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj. Në shenjë proteste ndaj këtij qëndrimi, një grup qytetarësh që po protestojnë në Tiranë kanë marshuar drejt ambasadës së Ukrainës.
Përpara ambasadës, protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre ndaj presidentit ukrainas, ndërsa janë dëgjuar edhe thirrje të drejtpërdrejta kundër tij.
“Zelensky, Zelensky, fuck you!”, kanë brohoritur protestuesit.
Reagimi vjen në një moment kur qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës ka shkaktuar debate të forta në rajon, veçanërisht pas takimit të Zelenskyt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd. Pas vizitës, në Prishtinë u hoq edhe një flamur i madh ukrainas nga një godinë, në shenjë pakënaqësie ndaj qëndrimit të Kievit.
Protestuesit në Tiranë e kanë shndërruar çështjen e Kosovës në një tjetër pikë të protestës së tyre, duke kundërshtuar publikisht qëndrimin e presidentit ukrainas.
