Shqiptarët do të kenë për herë të parë një kartëmonedhë 100 mijë lekëshe (të vjetra).
Në mbledhjen e mbajtur sot, me datë 6 dhjetor 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar tematikën e kartëmonedhës me kurs ligjor 10 mijë lekë të reja. Më poshtë është vendimi ku sqarohen edhe detajet për pamjen vizuale të kartëmonedhës.

“Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të ‘Flamurit Kombëtar’, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT ‘Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim’. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e sotme ka diskutuar gjithashtu mbi plane për rimëkëmbjen e bankave dhe për kontrollin e brendshëm të tyre.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb