Aktori i njohur hollivudian, Sean Penn ndodhet në Ukrainë për një dokumentar mbi pushtimin rus, ndërkohë që tensionet në rajon po përshkallëzohen, sipas NBC News.

”Penn, 61 vjeç, po punon për një dokumentar me VICE Studios, në bashkëpunim me VICE World News dhe Endeavour Content”, konfirmoi një zëdhënës i VICE.

Zëdhënësi nuk pranoi t’i jepte NBC News komente ose informacione të mëtejshme rreth projektit.

Një përfaqësues i Penn nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së NBC News për koment.

Prania e Penn në terren u konfirmua disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim të Ukrainës.

Aktori, fitues i çmimit Oskar, u fotografua në një konferencë shtypi në zyrën presidenciale në Kiev të enjten në imazhet e shpërndara nga Shërbimi i Shtypit i Operacionit të Forcave të Përbashkëta të Ukrainës.

Penn u shfaq gjithashtu shkurtimisht në historinë e Instagramit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ky nuk ishte udhëtimi i parë i Penn në Ukrainë. Nëntorin e kaluar, Penn udhëtoi në vend për t’u takuar me anëtarët e ushtrisë pranë vijës së frontit me separatistët e mbështetur nga Rusia, në Donetsk.

Penn është kritikuar më parë se e ka vënë veten në qendër të krizave globale.

Në tetor 2015, ai intervistoi bosin e drogës Joaquin “El Chapo” Guzman për një artikull për revistën ”Rolling Stone”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb