Tirana vijon e qetë rrugëtimin drejt titullit kampion, për momentin janë ata favoritët absolut. Erjon Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci, dy titullarët e padiskutuar të bardhebluve, në një intervistë ekskluzive për “News24”, për emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, “dhuruan” show, një intervistë shumë ndryshe, ku zbuluan edhe shumë prapaskena në lidhje me merkaton, folën për të ardhmen e tyre por edhe për të ardhmen e Taulant Seferit, për këtë të fundit “zbuluan” se në fund të sezonit do të largohet.

Dy futbollistët u ndalën tek aventura me tyre me Kombëtaren, atmosferën aty, por dhe komentuan disa individë të veçantë si Armando Broja. Hoxhallari-Geci folën edhe për garën për titull këtë sezon, apo diferencën mes këtij ekipi dhe atij që fitoi titullin dy vite më parë. Sipas dy lojtarëve edhe këtë vit, presidenti Halili vijon të jetë bujar me premoit.

Në fund nuk mund të mungonte edhe një koment për preferencën e tyre, kush e fiton “Big Brother”.

Sa peshë ka shiriti i kapitenit, çfarë do të thotë të jesh kapiteni i Tiranës?

Hoxhallari: Shiriti i kapitenit është një peshë shumë e madhe, sidomos të jesh tek ekipi i Tiranës pasi është një klub me histori dhe me shumë tituj, Mua ma kanë bërë shumë të lehtë çunat se mirëkuptojnë dhe kuptojnë mirë.

Ismajgeci: Në mungesën e Hoxhallarit, shiriti ishte te unë. ishte peshë shumë e madhe se mungoi kapiteni i parë, por çunat janë të kuptueshëm dhe si e tha Hoxhallari janë shumë të mirë.

Pyetja që mundonte të gjithë gjatë janarit ishte për zërat e merkatos. Do largohej Hoxhallari ose Ismajlgeci… Çfarë ndodhi?

Hoxhallari: Mendoj se nuk erdhi oferta e duhur dhe prandaj jemi këtu. Por gjithsesi unë jam përsëri i gëzuar se jemi në vend të parë. Shpresoj të fitojmë titullin dhe të shohim në të ardhmen.

Ismajlgeci: Ofertat nuk erdhën, por nga një anë më mirë se jemi në vend të parë.

Hoxhallari: Telefoni bie akoma…

Kush do të largohet tani i pari?

Ismajlgeci: Hoxhallari…

Hoxhallari: Ismajlgeci normalisht…

A keni ndonjë pistë konkrete?

Hoxhallari: Për momentin mendojmë të fitojmë titullin dhe të bëjmë hapa të sigurta me Tiranën, pastaj pjesën tjetër t’ia lëmë të ardhmes.
Ismajlgeci: Nuk ka hapa konkretë.

A komunikoni në këtë periudhë me Muçin dhe Çelhakën apo tani që po bien nga kategoria…

Ismajlgeci: Tani që jemi në vend të parë dhe ata duke rënë nga kategoria, janë ata që duhet të marrin këshilla nga ne dhe të na kërkojnë neve. Por mbajmë kontakte.

Jeni të dy pjesë e ekipit kombëtar, si është të veshësh atë fanellë?

Hoxhallari: Të gjithë ëndërrojnë që ta veshin atë fanellë, ne na ka rënë për pjesë që ta veshim dhe është përgjegjësi shumë e madhe dhe një gëzim shumë i madh njëkohësisht. Shpresojmë që të vazhdojmë dhe të jemi përsëri në grupin e kombëtares në ndeshjet e ardhshme.

Ismajlgeci: Duke bërë mirë në ekipin e Tiranës, normale që edhe Kombëtarja sheh nga kategoria dhe ekipi jonë. Nëse do të bëjmë më mirë, do të thirremi më shumë nga kombëtarja.

Jeni në Kombëtare bashkë me Seferin. A flisni bashkë dhe çfarë diskutimi keni për Brojën, fenomeni për të cilin flitet tani?

Hoxhallari: Është fenomen se po bënë mirë në ekipin e vet. Edhe Seferi nuk mbetet mbrapa se ka bërë një sezon të shkëlqyeshëm dhe besoj se në fund të sezonit do të jetë edhe Seferi ai që do të largohet.

Do largohet edhe Seferi? Ka pista konkrete?

Hoxhallari: Pista konkrete nuk e di, se nuk kam folur me te. Por për mendimin po bën sezonin që duhet dhe është normale që të largohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb