TBILISI – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në takimin e 34-t të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

I zhvilluar në Tbilisi, Gjeorgji, ky takim drejtohej nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, Giorgi Kadagidze dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 23 vendeve anëtare të Klubit.

Fokusi kryesor i diskutimeve të këtij takimi ishte mbi nivelin e lartë të dollarizimit dhe efektet e tij në ekonomitë e këtyre vendeve.

Drejtuesit e institucioneve monetare ndanë me njëri-tjetrin përvojat e tyre dhe masat e marra nga bankat qendrore në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në garantimin e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit.

Gjatë prezantimit të tij, Guvernatori Sejko u ndal tek treguesit makroekonomikëdhe theksoi se viti 2014, u karakterizua nga një veprimtari ekonomike e ngadaltë dhe nga një nivel i ulët inflacioni. Për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese dhe aktualisht norma bazë e interesit është në nivelin më të ulët historik prej 2%. Për të nxitur më tej aktivitetin ekonomik, Banka e Shqipërisë ka kombinuar stimulin e saj monetar me politika lehtësuese makroprudenciale.

Guvernatori Sejko theksoi se gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka kryer disa ndryshime të akteve rregullative të cilat synojnë zgjerimin e kreditimit, uljene kostove të ndërmjetësimit dhe nxitjen e procesit të ristrukturimit të kredive me probleme. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko prezantoi para të pranishmëve angazhimin e ndërmarrë nga të gjitha institucionet qeveritare dhe financiare në Shqipëri për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator për zgjidhjen e çështjes së kredive me probleme. Guvernatori Sejkovuri në dukje se zgjidhja e kësaj çështjeje ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kreditimit dhe të ekonomisë në Shqipëri.

Prezantimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë,Gent Sejko, u ndoq me mjaft interes nga pjesëmarrësit në takim. Në mbyllje të prezantimit, masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, si dhe plani i veprimit për rritjen e kreditimit në vend, ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u vunë në qendër të diskutimeve midis Guvernatorit dhe homologëve të tij.

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë: Shqipëria (që nga viti 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: