TIRANË

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, ndërsa sa i përket inflacionit ai tha se pritet një rritje graduale drejt objektivit.

Në konferencën e sotme për mediat për vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko ka se gjatë krizës të shkaktuar nga pandemia sektori bankar ka dhënë një efekt pozitiv.

“Shtyrja e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara dhe ristrukturimi i kredive ka zhvendosur një pjesë të barrës së krizës. Banka e Shqipërisë pret një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit. Rritje progresive e aktivitetit ekonomik në vend dhe në botë. Rritja e kërkesës agregate do shoqërohet me rritjen e punësimit.
Këshilli mbikëqyrës vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%. Politika monetare do vijojë të mbetet lehtësuese për të siguruar kushte financimi të favorshme. BSH do të vijojë të ruajë formën aktuale të operacioneve të injektimit të likuiditetit”, deklaroi guvernatori.

Sipas tij, kredia me probleme pavarësisht situatës së vështirë mbeti në nivele të pandryshuara, 8.3%.

Në mbledhjen e datës 16 dhjetor 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

Miratimin e rregullores “Mbi procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore”

Kjo rregullore sjell në version të përmirësuar procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore. Ky version vjen si rezultat i nevojës për përmirësim të praktikave të punës të ndjekura, konsultimeve me bankat tregtare dhe asistencës teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Miratimin e rregullores “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kërkesës minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara për çdo bankë. Hartimi i kësaj rregulloreje i shërben plotësimit në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

FJALA E PLOTË E GUVERNATORIT SEJKO
Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë, si në aspektin shëndetësor dhe në atë ekonomik e social. Pandemia Covid-19 ka shkaktuar tkurrje të fortë të aktivitetit ekonomik, rritje të papunësisë, vështirësi financiare për sektorin publik dhe privat, si dhe presione të dobëta inflacioniste. Në këto rrethana, objektivi kryesor i politikave ekonomike ka qenë lehtësimi i barrës financiare për bizneset dhe familjet shqiptare, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend, si dhe krijimi i premisave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për adresimin e situatës.
Ne lehtësuam politikën tonë monetare dhe rritëm injektimet e likuiditetit, duke synuar funksionimin normal të tregut financiar, lehtësimin e kostos së borxhit, rritjen e kreditimit dhe nxitjen e konsumit dhe investimeve.
Po ashtu, ne lehtësuam në mënyrë të përkohshme rregulloret e funksionimit të sektorit bankar, duke nxitur shtyrjen në kohë të pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimin e saj. Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40% e portofolit të kredisë bankare, duke lehtësuar barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e plan-bizneseve të tyre afatgjata.
Paralelisht me to, ne pezulluam shpërndarjen e dividendit të sektorit bankar gjatë vitit 2020, në interes të rritjes së kapitalit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori.
Së fundi, ne eliminuam kostot e përdorimit të infrastrukturës së sistemeve elektronike të pagesave, duke synuar zgjerimin e përdorimit të këtyre instrumenteve.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se këto masa kanë rezultuar të suksesshme. Stabiliteti monetar dhe financiar i vendit kanë rezultuar të paprekur, ndërsa bizneset dhe familjet kanë vijuar të gjejnë mbështetje me kredi nga sektori bankar, duke shmangur falimentimet në masë dhe duke zbutur rritjen e papunësisë.

Më lejoni tani të paraqes mesazhet kryesore të Raportit të Ndërmjetëm të Politikës Monetare dhe vendimin e marrë nga Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë pranë pritjeve tona. Lajmet e fundit mbi progresin e vaksinave japin shpresë për përfundimin e pandemisë dhe rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm, por situata epidemiologjike vijon të paraqesë sfida serioze për ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, për të mbështetur si rritjen e ekonomisë, ashtu edhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Në vijim do të paraqes më në detaje konkluzionet e analizës, vendimin e politikës monetare dhe arsyet e tij.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 1.8% në muajt tetor e nëntor, duke ardhur në rritje kundrejt nivelit mesatar prej 1.4% të shënuar në tremujorin e tretë. Ecuria e inflacionit gjatë muajve të fundit është ndikuar më së shumti nga faktorë të ofertës, të cilët kanë diktuar dhe luhatjen e çmimeve të ushqimeve. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste, të cilat burojnë nga kërkesa agregate dhe nga ambienti i huaj, vijojnë të mbeten të ulëta.

Ekonomia shqiptare ka shënuar një kthesë drejt rikuperimit në tremujorin e tretë. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, ndërsa rikuperimi i tij pritet të jetë një proces gradual dhe i rrethuar me rreziqe.

Treguesit e disponuar erdhën në përmirësim gjatë muajve të verës, duke pasqyruar frenimin e përhapjes së epidemisë, relaksimin e distancimit social, si dhe efektin pozitiv të masave lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare. Në përgjigje të tyre, ecuria e të ardhurave buxhetore dhe ajo e tregtisë me jashtë u përmirësua. Po ashtu, përmirësim shënoi dhe tregu i punës, sikurse ilustrohet nga rritja tremujore e punësimit dhe reduktimi në 11.6% i shkallës së papunësisë.

Të dhënat e disponuara për tremujorin e katërt janë ende paraprake. Megjithatë, përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe rivendosja e pjesshme e kufizimeve gjatë tremujorit të katërt sugjerojnë një rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Ky vlerësim mbështetet nga rënia e besimit të bizneseve dhe ilustron brishtësinë e zhvillimeve ekonomike në afatin e shkurtër.

Masat lehtësuese të marra nga Banka e Shqipërisë kanë krijuar tregje financiare të qeta dhe kushte monetare stimuluese për nxitjen e aktivitetit ekonomik. Në veçanti, normat e interesit për familjet dhe bizneset kanë qëndruar në nivele të ulëta, kursi i këmbimit ka rezultuar i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 6.7% gjatë vitit 2020, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe rritja e kredisë në lekë. Paralelisht me rritjen e portofolit të kredisë, ecuri pozitive ka pasur dhe struktura e këtij portofoli. Rritja në 50.2% e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit, jep sinjale inkurajuese për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Sektori bankar ka dhënë një kontribut pozitiv në përballimin e krizës. Rritja e kreditimit ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve. Po ashtu, shtyrja e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimi i kredive për kategori të tjera, ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori.

Në skenarin bazë, Banka e Shqipërisë pret një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit në horizontin afatmesëm. Ky parashikim faktorizon pritjet për rritje progresive të aktivitetit ekonomik, në vend dhe botë. Rritja e kërkesës agregate do të shoqërohet me rritjen e punësimit, të pagave e të kostove të prodhimit. Paralelisht me rritjen e presioneve inflacioniste nga jashtë, inflacioni parashikohet të vijë në rritje dhe të kthehet në objektiv brenda vitit 2022.

Përmbushja e këtij skenari zhvillimesh mbetet e kushtëzuar nga përfundimi i shpejtë i pandemisë, nga shpejtësia e rikuperimit të konsumit dhe investimeve, në vend dhe në botë, si dhe nga ruajtja e një ambienti të qetë e të përshtatshëm financiar. Gjithashtu, përmbushja e këtij skenari kërkon mbështetje nga politika makroekonomike stimuluese.

Banka e Shqipërisë vëren se kombinimi aktual i politikave ekonomike mbetet i përshtatshëm. Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare është i domosdoshëm për të nxitur kreditimin me kosto të ulët të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, reduktimi gradual i stimulit fiskal – i parashikuar në Buxhetin e vitit 2021 dhe projektbuxhetet afatmesme – balancon nevojën e nxitjes së kërkesës agregate me atë të forcimit së qëndrueshmërisë së borxhit publik në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Duke gjykuar mbi këto parashikime dhe konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Për këtë arsye, ai vendosi:
– të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
– të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.

Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit për të siguruar kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ruajë formën aktuale të operacioneve të injektimit të likuiditetit, formë e cila garanton injektimin e pakufizuar në sasi të tij, të paktën deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se zhvillimet e pritura makroekonomike janë të rrethuara nga pasiguri dhe të ekspozuara ndaj rreziqeve të kahut të poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:
përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe thellimi i ndikimit të saj në ekonomi;
shkalla e dëmtimit të kapaciteteve prodhuese dhe mundësia e një rikuperimi më të ngadaltë të kërkesës së brendshme dhe asaj të huaj;
lindja e vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb