Më 28 nëntor të këtij viti ka qenë përvjetori i 75-të i fillimit të Konferencës së Teheranit, takimit të hyrë në histori midis liderëve të Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, domethënë Stalinit, Roosevelt dhe Churchill. Qe në kuadër të këtij takimi dhe u hartuan dhe u miratuan projektet konkrete për shkatërrimin përfundimtar të Gjermanisë hitleriane dhe aleatëve të saj, pse jo edhe për rindërtimin e pasluftës. Por Konferenca e Teheranit ka hyrë në histori edhe si një ngjarje e rëndësishme në hostorinë e organeve të sigurisë sovjetike dhe ruse.

Funksionarët rusë të ngarkuar me sigurinë në këtë rast kryen me nder në një situatë tejet komplekse një sasi të jashtëzakonshme detyrash, pjesa më e madhe e të cilave për herë të parë. Në këtë intervistë të realizuar nga Vladmir Sychev, përcillen nga Sputnik zbulimet e Sergey Devyatov, historian dhe këshilltar i FSB-së, shërbimeve të sigurisë të Federatës Ruse. Devyatov ka zbuluar një seri detajesh mbi këto ngjarje që në të kaluarën nuk qenë të njohura për publikun e gjerë.

Historia e Konferencës së Teheranit shpesh është e lidhur në Rusi me filmin e njohur “Foleja e spiunëve” (Teheran 43) ku funksionarët e shërbimeve sekrete (ÇEKA) hedhin në erë projektet e Hitlerit për të sulmuar “Tre të Mëdhenjtë”. Subjekt i mirëndërtuar, aktorë shumë të zonë, kolona zanore e jashtëzakonshme e Charles Aznavour. Në realitet si garantohej siguria e delegacionit tonë 75 vite më parë?
Për hir të së vërtetës, “Foleja e spiunëve” (Teheran 43) është vetëm një film, por Kremlini e kishte emërtuar të gjithë operacionin “Drejtimi i 30-të”. Për të qenë i sinqertë, nuk e di se nga vjen ku emër. Paksa si për opracionin e Konferencës së Jaltës, që quhej “Dolina”, dhe atë të Konferencës së Potsdamit, “Palma”.

Nga ku e ka origjinën historia e “Drejtimit të 30-të”?
Teherani ishte nga prej pikave delikate në fillimin e Luftës së Madhe Patriotike (Luftës së Dytë Botërore). Irani gjendej në një pozicion mjaft tërheqës: afër me naftën e Lindjes së Mesme, që në atë moment kontrollohej nga anglezët dhe nga kompanitë petrolifere sovjetike të Bakusë. Nga një pikëpamje strategjike, ishte një vijë tejet interesante. Aty ishte aktive edhe një shoqëri inteligjence gjermane dhe organizata të ndryshme naziste. Ndodheshin, të themi, shumë lobe që mbronin interesat e Hitlerit, sidomos midis niveleve të larta që gravitonin rreth Shahut Mohammad Reza Pahlavi. Ekzistonte një kërcënim real. Pikërisht për këtë arsye, më 25 gusht të 1941 u vendos që të dërgoheshin trupa sovjetike dhe britanike në Iran.

Juridikisht, kjo mundësi përfshihej qysh në marrëveshjen midis Bashkimit Sovjetik dhe Iranit në kohën e Luftës Civile. Nga ana jonë u dërguan dy armata sulmuese, ndërsa në jug hynë trupat britanike. Vija e ndarjes së përgjegjësive midis Ushtrisë së Kuqe dhe trupave britanike u vendos pak më në jug të Teheranit. Megjithëse influenca gjermane ndaj Iranit qe e rëndësishme, ky operacion ishte përdorur aktivisht në kuadër të iniciativës Lend-Lease për furnizimet e Bashkimit Sovjetik me mjete ushtarake dhe mallra të tjera. Si gjë të parë, nëpërmjet Iranit u dorëzoheshin tanket amerikane dhe britanike (që, për hir të së vërtetës, bënin figurë të keq përballë mjeteve tona, sidomos T-34) dhe mjetet transportuese ushtarake, si Studebaker amerikanë. Ishte një fluks i vazhdueshëm mjetesh për të cilin u krijuan impiante dhe magazina të ndryshme.

Veç kësaj, drejt Bashkimit Sovjetik dërgoheshin edhe metale të rralla, adiktivë për metalurgjinë dhe lëndë djegëse. Për avionët amerikanë dhe britanikë që vinin në Bashkimin Sovjetik ishte e nevojshme një përgatitje speciale e lëndës djegëse. Më pas flukset e furnizimit dërgoheshin në Baku dhe në Astrakhan, duke kaluar nëpër Detin Kaspik. Çështja e takimit të “Tre të Mëdhenjve” u ngrit shumë herë, por për Stalinin ishte me rëndësi themelore të demonstrohej që trupat sovjetike nuk qenë vetëm në gjendje të mbroheshin, por edhe të arrinin suksese strategjike. Dhe ky sukses vjen në dimrin midis 1942 e 1943, domethënë me fitoren e Stalingradit, humbja më e hidhur e Armatës së 6-të të Paulusit.

Në këtë fazë mundësia e një takimi midis liderëve të tri vendeve të koalicionit antihitlerian ishte debatuar gjatë. Veç kësaj, nga vera e 1943 në nivel të lartë ishte hipotezuar edhe një takim midis Stalinit dhe Roosevelt në bregun e Gjirit të Beringut. Duhet thënë se edhe nëpërmjet këtij gjiri kalonin furnizimet e Lend-Lease, në këtë rast ato aeronautike e avionëve gjuajtës. Kështu, në një mënyrë apo në një tjetër, rruga ishte në zbritje.

Pse në fund nuk u mbajt ky takim? Në fund të fundit, aty do të ishte realizuar në mënyrë më të qetë.
Për arsye të ndryshme, si subjektive, ashtu edhe objektive. Në atë takim donte të merrte pjesë edhe Churchill. Ndoshta për këtë arsye Stalini hoqi dorë. Por qysh në verën e 1943 mundësia e një takimi midis tri liderëve të koalicionit antihitlerian mori formë. E kësaj periudhe është ka mundësi edhe letra më e tmerrshme e Stalinit lidhur me krizën e hapjes së “frontit të dytë”.

Debati lidhur me çështje konkrete tashmë ishte pjekur. Veç kësaj, pas betejës së Stalingradit, mundësia e një fitoreje të pavarur të trupave sovjetike kishte filluar të zinte vend midis aleatëve, kurse pasi humbjes së nazistëve në Kursk askush nuk kishte më iluzione lidhur me këtë pikë. Më 1 gusht të 1943 Stalini punonte në zyrën e tij në Kremlin dhe më pas u nis drejt daçës së Kuntsevo. Nikolay Vlasik, shefi i sigurisë së Stalinit, qëndroi në Kremlin. Natën e 2 gushtit, Stalini u nis drejt frontit, ngarje unike në historinë e luftës. Natën u organizua një karvan hekurudhor “me rëndësi të madhe”, që u nis drejt një destinacioni të panjohur. Po, në vitin 1941 Stalini kishte shkuar në zonën e frontit, por ai udhëtim kishte qenë vetëm simbolik.

Stalini shkoi në front pa shefin e tij të sigurisë? Si qe e mundur?
Nuk e morën me vete Vlasik me të drejtë. Sepse të gjithë mendonin që, përderisa ai ishte në Kremlin, edhe Stalini ishte aty. Duhet thënë se gjatë epokës së Stalinit, sistemi i kontrollit të informacioneve ishte mjaft i ngurtë.

Pse ky udhëtim është lidhur me konferencën e planifikuar atëhere midis “Tre të Mëdhenjve”?
Stalini e promovoi aktivisht Teheranin si vend ku të mbahej takimi dhe udhëtimi në front (këtë i komunikoi aleatëve në korrespondencë private dhe sekrete) duhej të tregonte domosdoshmërinë e një pjesëmarrjeje të drejtpërdrejtë të tij në drejtimin e operacioneve ushtarake. Pikërisht në këtë periudhë u mor vendimi për ta mbajtur konferencën midis udhëheqësve të koalicionit antihitlerian pikërisht në Teheran.

Zgjedhja e vendit të konferencës ishte qartazi një kompromis. Po pse pikërisht kryeqyteti iranian?
Në Iran ishte e lartë prania në terren e agjentëve sekretë hitleriane. Veç kësaj, të ndryshëm qenë edhe faktorët që do të kishin mundur të çonin në një komplot potencial për përmbysjen e qeverisë së Shahut dhe ngjitjen në pushtet që do të mund t’u kishte hapur rrugën gjermanëve në Bashkimin Sovjetik. Një vend oriental me një mentalitet oriental. Një elitë shumë laramane për nga bindjet politike. Raporte ndërkombëtare mjaft të komplikuara. Me pak fjalë, një “fole” me probleme.

Megjithatë, Teherani ishte nën kontrollin e trupave sovjetike. Pastaj, në Iran qenë të pranishëm në mënyrë të përhershme edhe organe kundërspiunazhi, oficerë të inteligjencë së jashtme dhe qyteti ishte relativisht komod për t’u arritur nga të gjithë pjesëmarrësit në konferencë. Gjatë gjithë viteve të pranisë së ushtrisë sovjetike dhe të shërbimeve speciale në vend, ishte bërë pakashumë e qartë se cilat qenë burimet e rrezikut për konferencën. Ishte e qartë se kush qenë agjentët gjermanë, cilat qenë objektivat dhe detyrat e tyre, cilat forca sovjetike simpatizonin Hitlerin dhe nga ku do të vinin këto kërcënime.

Nga cili moment filloi përgatitja për konferencën në kuptimin e vërtetë të fjalës?
E dimë me saktësi se kur organet e ngarkuara me sigurinë kombëtare morën urdhërin e parë, domethënë rreth 10 gushtit dhe gjithsesi jo pas 12 gushtit të 1943. Dokumenti origjinal nuk ekziston më, por pikërisht i kësaj periudhe është vendimi i organeve të sigurisë së brendshme dhe të vigjilencës për të ngarkuar punonjës në Teheran: në mënyrë të veçantë, Nënkomisari i Popullit për Punët e Brendshme, Gjeneralkoloneli Apollonov; Drejtori i Këshillit të Dytë të Komisarëve të Popullit për Sigurinë Kombëtare (kundërspiunazhi), komisari për Sigurinë Kombëtare i Rangut të 3-të, Fedotov; Nëndrejtori i Këshillit të Gjashtë të Komisarëve të Popullit për Sigurinë Kombëtare (mbrojtja), Komisari Për Sigurinë Kombëtare Shadrin me një grup oficerësh të lartë dhe një funksionarësh operativë.

Nga ky moment mund të themi se nisi përgatitja e Konferencës së Teheranit. Selia qendrore e koordinimit gjendej në Baku dhe përgjegjësi i operacioneve ishte Nënkomisari i Popullit për Punët e Brendshme, Kruglov. Në Iran qenë aktivë agjentë të inteligjencës së jashtme dhe të kundërspiunazhit të Këshillit të Komisarëve të Popullit. Jo vetëm në Iran ndodheshin trupa sovjetike, por ishte aktiv edhe SMERSH-i, Departamenti i Kundërspiunazhit të Ushtrisë së Kuqe. Organet përgjegjëse të sigurisë kombëtare qenë thirrur që të kryenin detyra të komplikuara.

Cilat?
Në radhë të parë, transferimin e drejtuesve të lartë të Bashkimit Sovjetik në Iran. Ky u bë një problem i madh, pasi bëhej fjalë për udhëtimin e parë të Stalinit jashtë vend si kreu i shtetit të Bashkimit Sovjetik dhe, për më tepër, në kushte lufte. Këshilli i Gjashtë i Komisarëve të Popullit për Sigurinë Kombëtare, NKGB-ja, nuk kishte përvojë apo udhërrëfyes të kolauduara për të vepruar në të tilla situata, edhe pse, duhet thënë se siguria e Stalinit në kohë ishte organizuar në mënyrë mjaft efikase. Veç kësaj, informacionet lidhur me takimin u erdhën me shpejtësi shërbimeve hitleriane të inteligjencës.

Mendohet se këto informacione i erdhën një agjenti të inteligjencës gjermane pranë ambasadës britanike në Teheran.
Gjermanët nisën operacionet për neutralizimin eventual e udhëheqësve të koalicionit antihitlerian. Për të qenë më të saktë, detyra ishte të organizohej një atentat terrorist dhe, po të ishte e mundur, të vritej Stalini, Roosevelt dhe Churchill. Veç kësaj, u dislokuan me sukses regjimente xheniere në loaklitetet malore rreth 70 km nga Teherani. Në këtë mënyrë, tentativa për ndryshimin e rrjedhës së Luftës së Dytë Botërore ekzistonte vërtet.

Duhet thënë se kundërspiunazhi sovjetik në këtë kohë arriti rezultate të shkëlqyera: grupi i diversionistëve u gjet dhe u kap. Dhe nuk mundi të bënte shumë. Gjatë përgatitjes së konferencës u gjetën dhe u kapën rreth 160 agjentë hitlerianë aktivë në Teheran dhe rrethina. Në Teheran u kryen bastisje të shumta. Duhet thënë se edhe nga ana britanike operacionet kryheshin me dhunë të veçantë, në pikën që agjentët gjermanë shpesh strehoheshin në territorin e kontrolluar nga sovjetikët, pasi nga ne nuk merreshin në pyetje, ndërsa anglezët shpesh i dënonin në vend.

Çfarë detyrash të tjera kishin organet e sigurisë?
Të garantonte furnizimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për konferencën, garantimi i një qëndrimi normal (sipas standardeve europiane) dhe punën e mirë të krerëve të shteteve e të anëtarëve të delegacioneve. Deri tavolina e madhe e traktativave u soll drejtpërsëdrejti nga Bashkimi Sovjetik.

Por diplomacia e lartë nuk vihet vetëm prapa tryezës së negociatave, por edhe asaj të ngrënies. Çfarë u desh të bëhej nga pala sovjetike për të arritur t’u garantoheshin vaktet anëtarëve të konferencës?
Falë kuzhinës së Kremlinit që ndodhej nën kontrollin e NKGB-së, nga Bashkimi Sovjetik u importuan të gjitha produktet ushqimore, me përjashtim të atyre që kalbeshin më shpejt. Sasia e produkteve ishte e lartë: Stalini jepte pritje të nivelit të lartë në të cilat propozonte kuzhinën tradicionale ruse. Në rrethinat e Teheranit kishte burime uji të pijshëm. Në atë periudhë ishte kategorikisht i ndaluar përdorimi i ujit të ujësjellësave për shkak të përmbajtjes së lartë të baktereve.

Për këtë arsye, autobotë sovjetikë bënin vajtje ardhje midis burimeve të individualizuara nga ku merrnin sasinë e nevojshme për të gjitha eventet. Nuk përjashtohej mundësia e helmimit të burimeve. Njëlloj veprohej me mishin dhe me peshkun: pjesërisht importoheshin nga Bashkimi Sovjetik, pjesërisht përdoreshin produktet vendore. Siguria ushqimore u garantua nga kuzhina e Kremlinit në pothuajse të gjitha eventet e konferencës.

Por për të gjithë këtë është dashur një numër i caktuar personeli.
Në Teheran u desh të transferoheshin shumë bashkëpunëtorë të Këshillit të Gjashtë, jo vetëm operativë. Veç kësaj, u transferuan edhe të punonjës të sekretarisë së Stalinit, stenografë dhe makinistë. Në vitet ’90, një prej stenografeve të Stalinit kujtoi disa anekdota. Në atë kohë jetonin në Kremlin, nuk kishin të drejtë të dilnin në qytet, mund të shkonin vetëm në daçën e Kuntsevo. I ngritën me ngut, i çuan në stacion hekurudhor ku i priste një tren.

Jetuan në atë tren për 5 ditë. Pastaj treni u nis, por askush nuk e dinte se për ku. Arritën në Baku. Nga aty u çuan me makina deri në Teheran nëpërmjet kufirit midis Iranit dhe Bashkimit Sovjetik. Atëhere në kryeqytetin iranian gjendeshin shumë funksionarë shtetërorë sovjetikë. Ata të Këshillit të Gjashtë në mes të nëntorit qenë 300 persona. Kur erdhi Stalini, grupi u zmadhua edhe më shumë. Në Teheran u rrit ndjeshëm numri i të ngarkuarve me kundërspiunazhi. Gjithashtu, aty u krijua një koordinim që garantoi mirëfunksionimin e të gjitha operacioneve. Mund të them se edhe dokumentat lidhur me përgatitjen e udhëtimit të Stalinit drejt Teheranit janë mbresëlënës.

Makinistët e Këshillit të Gjashtë i mblidhnin tektes e urdhërave të përgatitjes së eventeve të ndryshme. Të gjitha, me përjashtim të atyre që përmbanin referime gjeografike, mbiemra dhe numrin e personave të interesuar. Informacionet e tjera u jepeshin më pas me dorë zyrtarëve. Regjimi i sekretit ishte i pabesueshëm. Pastaj, doli çështja e spostimit e anëtarëve të delegacionit. Në fund të nëntorit 1943 u vendos që të nxirreshin nga Magazina Speciale e Kremlinit automobila të ndryshëm për pjesëmarrësit në konferencë. Veturat u dërguan në Baku me tren dhe nga aty vazhduan me shoferë deri në Teheran.

Limuzina e blinduar Packard e Stalinit i rezistoi udhëtimit?
Po. Në këtë rast kishte makina nga 3 marka importi (Packard, Lincoln e Cadillac) dhe 1 sovjetike (ZIS-101). Gjithsesi, transportimi i delegatëve u mor përsipër nga sovjetikët dhe u realizua nga veturat e Magazinës Speciale të Kremlinit. Lidhur me këtë, edhe Roosevelt e Churchill u shërbyen nga automobila të Magazinës Speciale. Për shembull, delegacionit britanik ju rezervuan 2 makina të blinduara dhe 2 të zakonshme.

Vërtet aleatët nuk arritën të gjenin mjete për të lëvizur në Teheran?
Fakti është që makinat për t’u vënë në dispozicion të tyre do t’u duhej të bënin një udhëtim shumë të gjatë në det. Po sikur një nëndetëse gjermane t’i godiste? Qe e nevojshme t’i kërkohej ndihmë Bashkimit Sovjetik.

Zoti Devyatov, si u përgatit në fakt pallati i ambasadës sovjetike?
Fillimisht u morën në konsiderata mundësi të ndryshme për akomodimin e delegacionit në Teheran, por qartazi akomodimi brenda ambasadës rezultoi zgjidhja më e sigurt. Ambasadat sovjetike dhe britanike qenë afër, kurse ajo amerikane ishte 1 kilometër e gjysmë larg. Përveç faktit që një takim i nivelit të lartë kërkon a priori një përgatitje nga protokolli i vendasve, zëvendësimin e mobilieve, praninë e kabinave të shërbimit për përkthimin dhe aparaturave të regjistrimit.

Veç kësaj, u zgjerua edhe perimetri i sigurisë së ambasadës sovjetike, që atëhere zinte një hapësirë pak më të madhe se 9 hektarë. Ambasada u mbrojt me një gardh prej guri e tullash 3 metra i lartë, por ishte e qartë se nevojitej një sistem ndjesorësh për të kontrolluar afrime eventuale ndaj murit, pse jo edhe vendosjen e vendrojeve. Garantimi i sigurisë së të gjithë udhëheqësve të lartë nuk ishte aspak i thjeshtë. Mendoni se në zonën e ambasadës sovjetike gjatë konferencën në një turn kishte në shërbim 140 persona, midis funksionarëve sovjetikë, britanikë dhe amerikanë.

Mbulimi operativ i perimetrit të ambasadës garantohej vazhdimisht nga 200 ushtarë të pajisur me automatikë. Por edhe oficerët që në atë moment nuk ishin në shërbim qëndronin brenda ambasadës në rast nevoje. U ngritën çadra dhe kuzhina fushore. E gjitha kjo mundësoi jo vetëm që të shmangeshin atentate dhe sulme terroriste, por edhe të shmangeshin përplasje të armatosura.

Pas përgatitjeve, për delegacionin sovjetik erdhi momenti i nisjes.
Transferimi i tij në konferencë qe një tjetër detyrë mjaft e vështirë. Më 22 nëntor, më një tren special, u nis nga Moska drejt Bakusë delegacioni zyrtar i përbërë nga Stalini, nga Vyacheslav Molotov (Komisari i Popullit për Punët e Jashtme) dhe nga Marshalli Kliment Voroshilov. Në Teheran shkoi edhe Lavrenty Berija, Komisari i Popullit për Punët e Brendshme, që mori pjesë në konferencë, por jo si anëtar i delegacionit zyrtar. Veç kësaj, në kryeqytetin iranian shkoi edhe një grup ushtarakësh dhe përfaqësuesish të Komisarit të Popullit për Punët e Jashtme. Në atë kohë, Komisari i Popullit Andrey Vyshinsky ndodhej tashmë në Teheran. Treni udhëtoi përgjatë linjës hekurudhore Mosca – Ryazan dhe arriti në Baku pa probleme të mëdha, me përjashtim të faktit që në zonën Kolomna hipën në tren 3 të kërkuar.

Po nuk kishin si ta dinin që ishte tren special. Nga jashtë duhej të dukej një tren si gjithë të tjerët.
Sigurisht! Një njeri i thjeshtë nuk do të mund ta kuptonte kurrë se në atë tren kishte një delegacion zyrtar. Por një punonjës hekurudhe, po, pasi vagonat qenë përforcuar dhe karreli ishte i ndryshëm nga ai i vagonëve të trenave të zakonshëm të pasagjerëve. Gjithësesi, ishte natë, kështu që askush nuk do të mund ta dallonte.

Dhe sa larg arritën që të shkonin “pasagjerët” e rinj?
Për sa di unë, i zbritën në Ryazan. Më pas treni arriti në Baku nga ku delegacioni mori avionin për Teheran. Pikërisht Konferenca e Teheranit është rasti i vetëm në të cilin Stalini lëvizi me avion.

Për shkak të këtij episodi lexohet shpesh se Stalini kishte frikë nga fluturimi. Por vetë ai, Stalini, nuk e zbuloi kurrë një gjë të ngjashme: lidhur me këtë nuk ka as konfirmime dokumentare, as dëshmi, kështu që është e vështirë të kishte frikë nga fluturimi një njeri që e pëlqente, e njihte kaq mirë aviacionin dhe ia mbështeste zhvillimin në vend.
Mund të them vetëm atë që përshkruhet në dokumenta: në vitet ’30, në Bashkimin Sovjetik pati një seri katastrofash ajrore pas të cilave për dy herë më nivel të lartë u vendos që të ndaloheshin spostimet e udhëheqësve sovjetikë me avionë. Megjithatë, duhet thënë se gjatë luftës këto ndalime nuk u respektuan shumë. I famshëm është fluturimi transatlantik i Molotovit në Britani të Madhe dhe SHBA në vitin 1942.

Atëhere ekzistonte edhe rreziku i goditjes nga gjuajtësit gjermanë. Pranë aeroportit qeveritar Frunze (zona e Moskës që ndodhet sot midis stacioneve të metrosë Dinamo dhe Aeroport) kishte avionë të rezervuar anëtarëve të qeverisë. Dy dalje, ato 01 dhe 02, i qenë rezervuar Stalinit, ndërsa dalja 03 për Molotovin. Por një problem në vetëvete ishte se atëhere në avion nuk kishte shumë komoditet dhe në lartësi të madhe ishte shumë ftohtë. Nga fotografitë që paraqesin fluturimin e Molotovit drejt Londrës shikohet se kishte veshur një peliçe të trashë dhe një kapuç.

U arrit që të bëheshin më komodë ato Douglas me të cilët delegacioni sovjetik fluturoi drejt Teheranit?
Avionët ju nënshtruan një përgatitjeje serioze përpara fluturimit, u “hermetizuan”. Qenë avionë për transport ushtarak që mund të fluturonin mbi rrezen e veprimit të artilerisë. Por një kuotë më e lartë se 5 kilometra ishte kritike edhe për pilotë me përvojë dhe kështu që ishte i nevojshëm përdorimi i oksigjenit shtesë. Por në dokumenta nuk gjendet i regjistruar asnjë komoditet, si për shembull ngrohja.

Në filmin “Foleja e spiunëve” (Teheran 43) ka një skenë në të cilën tregohet sesi “Tre të Mëdhenjtë” arritën njëri pas tjetrit në kryeqytetin iranian dhe në fund thuhet “Asnjeri në Teheran nuk e dinte sesi kishte arritur Stalini në rezidencën e tij”. Pra, si u organizua udhëtimi i delegacionit sovjetik drejt ambasadës?
Para së gjithash u planifikua udhëtimi nëpër rrugët e Teheranit. U pengua aksesi i kamionëve nëpër rrugët përgjatë të cilave do të udhëtonin krerët e shtetit e ardhur nga aeroporti. Në Teheran dhe sidomos në aeroport prania ushtarake u forcua ndjeshëm dhe u dislokuan njerëzit e NKVD-së. Përgjatë rrugës u kontrolluan të gjithë personat e dyshimtë.

Rruga midis ambasadës sovjetike dhe asaj britanike u mbyll me një rrjet mimetike. Vëllimi i punës së kryer qe mbresëlënës. Qyteti u nda me zona, u krijua një shtab i përgjithshëm ndërqeveritar që garantonte ndërveprimin e ushtarakëve dhe shërbimeve speciale. Qenë ngritur postblloqe të dyfishta e të trefishta që garantonin aksesin e anëtarëve të delegacionit, të gazetarëve dhe të fotografëve.

Një prej eventeve më të njohur lidhur me konferencën qe vendosja e Roosevelt nga rezidenca amerikane, më e largëta, në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në mënyrë që Presidenti amerikan të mund të mbrohej nga misioni ynë diplomatik. Si qe e mundur të bindej Roosevelt?

Gjatë përgatitijes së konferencës, kjo ide nuk u hodh nga përfaqësuesit sovjetikë: në fakt, do të shkaktonte reagime negative pranë amerikanëve dhe britanikëve. Ambasada amerikane në Teheran po përgatitej që të priste Presidentin Roosevelt. Në Teheran kjo ide u hodh ditën e parë që u mbajt takimi i përfaqësuesve sovjetikë dhe amerikanë, fillimisht nga ana e oficerëve të sigurisë, pastaj nga Stalini personalisht, i cili i tha Roosevelt se në një situatë të vështirë nga pikëpamja operative do të ishte e preferueshme sikur udhëheqësi amerikan të spostohej në ambasadën sovjetike. Aq më shumë që ambientet e ambasadës qenë përgatitur tashmë për praninë e Roosevelt.

Presidenti ishte i prekur nga sëmundja dhe pala jonë bëri gjithçka të mundur që ai të mund të ndjehej komod. Roosevelt pranoi. Kështu, Stalini dhe Roosevelt patën mundësinë që të diskutojnë për probleme të ndryshme pa praninë e Churchill. Për këtë të fundit qe dukshëm një goditje e rëndë, pasi po të kihen parasysh pozicionet e Churchill e të Roosevelt, në këtë rast pozicioni amerikan ishte më racional se ai dukshëm antisovjetik i Churchill. Qartazi që aleanca midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik diktohej nga konteksti: urrejtja e Churchill për Rusinë e më pas për Bashkimin Sovjetik ishte organike, idiosinkratike.

Për të përdorur një eufemizëm, Churchill qe shumë i irrituar. Sipas dëshmitarëve, tha se konferenca kishte përfunduar aty, ndoshta edhe pa filluar — Stalini “e kishte futur në xhep”. Ka mundësi që në Teheran Churchill ndjeu për herë të parë se ishte i vetëm karshi dy liderëve të tjerë. Sepse pikërisht me rastin e kësaj konferenca u bë ftesa për një drekë bilaterale drejtuar Churchill për Roosevelt. Presidenti e refuzoi prerë ftesën dhe jashtë konferencës midis tyre nuk pati takime të tjera.

Pati gjëra të paparashikuara gjatë konferencës? Si i zgjidhën të ngarkuarit sovjetikë të sigurisë?
Ka mundësi që eventi i vetëm që u desh të organizohej “me të mirë” qe takimi i Stalinit me Shahun iranian Mohammad Reza Pahlavi. Më 30 nëntor në ambasadën tonë u mbajt vizita e Pahlavi për Roosevelt. Të gjithë takimet, përvec atyre më protokoll bilateral, qenë të organizuara nga sovjetikët. Pas këtij takimi të parë, ishte logjike të mendohej se edhe takimi midis Stalinit dhe Pahlavit do të bëhej në rezidencën sovjetike. Megjithatë, më 1 dhjetor Stalini vendosi tq vizitojë pallatin e Shahut.

Megjithëse kjo mundësi ishte marrë në konsideratë, gjithsesi bëhej fjalë për një event jo të parashikuar na program dhe që u krijoi probleme të caktuara organeve të sigurisë. Por oficerët tanë e njihnin tashmë strukturën e pallatit. Nuk mund të thuhet se flitej për një rrezik të madh, pasi gjermanët nuk patën kohën materiale për t’u përgatitur për këtë dalje të Stalinit dhe vetë fshehtësia e vetë operacionit mbeti jashtëzakonisht e lartë.

Është e njohur se jo vetëm Roosevelt, por edhe Churchill atëhere e pritën Pahlavi në ambasadën britanike. Lidhur me këtë mund të pohojmë se vendimi i Stalinit për ta vizituar në fakt në pallatin e Shahut qe një shenjë e rëndësishme respekti ndaj 24 vjeçarit Pahlavi? Në fund të fundit, në Orient këto gjeste kanë rëndësi të madhe.

Po, mund të themi se ky gjest i la një përshtypje të jashtëzakonshme Shahut dhe të gjithë establishmentit iranian. Dhe po t’u referohesh dokumentave ku dhuratat diplomatike të këtij niveli regjistrohen gjithmonë, Stalinit ju dhuruan dy tapete të mëdha persiane të punuara me dorë. Qysh atëhere, pas kthimit në Moskë, njëri prej këtyre tapeteve gjendet në dhomën e ngrënies në daçën e Kuntsevo.

Një event i madh i konferencës ndodhi më 1 dhjetor: po flas për ceremoninë solemne e dhënies Stalnit në emër të Mbretit Xhorxhi i VI-të nga ana e Churchill e Shpatës Përkujtimore mbrojtësve heronj të Stalingradit. Qartazi, kjo nuk mund të krahasohet me shkëmbimin e dhurata midis “Tre të Mëdhenjve”. Por është e njohur, për shembull, se Churchill për ditëlindjen e tij me 30 nëntor 1943 ju dhurua një kapuç dhe një set statujash të vogla prej porcelani që paraqisnin disa prej përrallave tona popullore. Çfarë përrallash u zgjodhën? Kjo dhuratë fshihte rastësisht edhe ndonjë aludim?

Paraqitej përralla e peshkut të vogël të artë të Pushkimit. Plaku, plaka dhe peshku i vogël i artë… Nuk mendoj se Churchill ishte ndonjë mbrojtës i madh i veprës së Pushkimit, por ekspertët e Rusisë ndoshta ia shpjeguan aludimin e qartë “humbjen e gjithçkaje që njeriu ka fituar”. Më pas Stalini i dhuroi Churchill konjakun tonë. Të gjithë e dinë se Churchill ju dërgua konjak armen i Shustovëve. Përpara revolucionit në Rusi kishte dy prodhues të mëdhenj konjaku: Shutsovët në Armeni dhe David Saradzhishvili në Gjeorgji e Dagestan. Për këtë nuk flitej, por, po t’u përmbahesh dokumentave, Churchill merrte shpesh edhe konjakun e Saradzhishvili. I dërgoheshin arka të tëra, duke qenë se Churchill e pëlqente këtë pije.

Në fund të fundit, i përkushtohej aktivisht kultit të Bakusit!

Po, por gjithsesi aftësinë intelektive të tij nuk e ndjenin.

Një tjetër burim thotë se Churchill provoi për herë ta parë konjakun sovjetik vetëm në Konferencën e Jaltës të 1945.

Për aq sa di unë, arka e parë e konjakut ju dorëzua Churchill në fundin e vitit 1941 nga ana e Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden që kishte qenë në Moskë. Por në këtë rast konjaku ishte një dhuratë standard protokolli.

Në kujtimet e tij, Nikolay Vlasik shkruan se Roosevelt, në një pritje të mbajtur nga Stalini në Teheran, e vlerësoi shumë shampanjën tonë dhe se Presidentit amerikan ju dërgua një arkë me këtë pije. Çfarë shampanje ju ofrua aleatëve nga ana e Stalinit? Në fund të fundit, në Bashkimin Sovjetik kishte vende të ndryshme prodhimi.

Bëhej fjalë për një shampanje krimease. Po, shampanja në Bashkimin Sovjetik prodhohej edhe tjetërkund, por nuk duhet ngatërruar prodhimi tradicional i pijes siç bëhet në Novy Svet me prodhimin industrial. Janë krejtësisht ndryshe. Në Teheran shërbehej shampanjë klasike.

Si u vlerua personeli i ngarkuar me sigurinë që mori pjesë në përgatitjen dhe zhvillimin e Konferencës së Teheranit?

Pothuajse të gjithëve ju dhanë çmime, urdhra dhe medalje të rëndësishme. Duke pasur parasysh mungesën e përvojës dhe vështirësinë e situatës, nga pikëpamja e sigurisë, ngjarjet gjithsesi u përfunduan në nivel të lartë. Pastaj, nga pikëpamja politike, për Bashkimin Sovjetik rezultatet e konferencës qenë jashtëzakonisht pozitive. /Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb