Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me sekuestrimet e pasurive të lidhura me grupin e AKSHI-t, duke i cilësuar ato si një lajm pozitiv për shoqërinë dhe shtetin.
I ftuar në programin e drekës në News24, Koçi u shpreh se thellimi i hetimeve dhe zbulimi i rasteve abuzive është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe institucioneve.
“Sekuetrimet janë lajm i mirë, sepse sa më shumë të thellohen hetimet dhe të zbulohet e keqja, aq më mirë është për shoqërinë. Kjo krijon mundësi për pastrimin e administratës dhe rrit moralin dhe integritetin e shtetit”, deklaroi ai.
Koçi vlerësoi gjithashtu punën e SPAK, duke theksuar se institucioni duhet përgëzuar për rezultatet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas tij, politika duhet të jetë në mbështetje të drejtësisë, ndërsa këto veprime përbëjnë edhe një sinjal dekurajues për botën e krimit, pavarësisht përkatësive apo emrave konkretë të përfshirë.
“E vërteta duhet respektuar dhe ndëshkimi i të keqes duhet bërë përtej emrave”, u shpreh ai.
I pyetur në lidhje me procesin e integrimit europian, Koçi theksoi se ka nevojë për më shumë transparencë, veçanërisht në çështje që lidhen me partneritetet publike-private dhe statuset e investitorëve strategjikë.
“Procesi deri tani ka ecur përgjegjësisht mirë. Nuk ka një njoftim zyrtar për ndonjë ngecje të integrimit, por kërkohet më shumë transparencë në disa sektorë kyç”, përfundoi ai.
