Një dritë jeshile është dhënë për të gjithë ata persona që vuajnë nga sëmundja e lëkurës psoriasis ose inflamacioni i saj. Zbehja e këtij të fundit do të çojë drejt kurimit të plotë të sëmundjes. Ilaçet e para kundër saj do të dalin shumë shpejt në treg

Duket se janë bërë hapa përpara kundër luftës ndaj psoriasis. Në sajë të kundërvënies ndaj inflamacionit, përmes një antitrupi (ixekizumab), është e mundur të përmirësohen simptomat e sëmundjes për një kohë të gjatë. Këtë e konfirmon një studim i fundit i shkencëtarëve të Universitetit Northwestern Feinberg School of Medicine, i publikuar në New England Journal of Medicine. Përllogaritet se në botë, nga psoriasis, vuajnë rreth 25 milionë njerëz. Patologjia godet si femrat edhe meshkujt pa ndonjë dallim të veçantë. Ajo mund të shfaqet në çfarëdo lloj moshe, megjithatë kurimi i psoriasis bëhet më i vështirë me kalimin e moshës.

Skuqja e lëkurës, deskuamimi (shfaqja e shtresës së jashtme të lëkurës në luspa apo copëza, kruarja dhe dhembja janë simptomat më të zakonshme. Kjo sëmundje nuk është vetëm një problem estetik: gjendja e përhershme e inflamacionit ka pasoja në të gjithë organizmin, aq shumë sa psoriasis lidhet me shqetësime të shumta, si sëmundjet kardiovaskulare, metabolike etj. Ende nuk dihen faktorët që shkaktojnë këtë sëmundje. Por sipas hipotezave, me shumë mundësi, psoriasis shkaktohet kryesisht nga faktorët gjenetikë të cilëve u shtohen ata mjedisorë dhe anomali në sistemin imunitar. Studimi është fokusuar pikërisht në këtë të fundit. Ideja bazë është shumë e thjeshtë: zbehja e inflamacionit duke bllokuar prodhimin e interlukinave, molekulat që nxisin këtë proces. Në ditët e sotme janë të shumta molekulat nën eksperimentim (disa prej të cilave të aprovuara) që shfrytëzojnë këtë mekanizëm. Në rastin specifik të molekulave, e fundit e hedhur në treg është interleukin 17.

Çfarë është psoriasis?
Psoriasis është një sëmundje lëkure që karakterizohet nga krijimi i elementeve inflamatorë (skuqje), të ngritura mbi sipërfaqen e lëkurës, të cilat mbulohen nga skuama (luspa) për shkak të shumëzimit të qelizave epiteliale. Në ndryshimet që ndodhin në lëkurë përfshihen shtimi i keratinociteve (qelizave të lëkurës), shtimi i enëve të gjakut dhe infiltrimi i qelizave të inflamacionit. Zhvillimi i sëmundjes lidhet me bashkëveprime të ndërlikuara midis qelizave të bardha të gjakut, qelizave epiteliale të lëkurës dhe një sërë elementesh të tjera të inflamacionit që quhen ndërmjetësit (kimiokina, citokina, interleukina) etj.

Si shfaqet psoriasis?
Në bazë të elementeve të sëmundjes dallojmë katër tipe të sëmundjes. Psoriasis tipik. (Psoriasis vulgaris ose me pllaka). Shfaqet për vite të tëra me pllaka të skuqura që mbulohen nga luspa me ngjyrë argjendi. Psoriasis me pika të vogla (psoriasis guttata, punctata). Karakterizohet nga elemente të vogla dhe të shpërndara, të skuqura dhe me luspa. Një formë e rrallë e psoriasisit është edhe ajo që quhet psoriasis pustuloz (me flluska me lëng që duket si qelb). Mund të lokalizohen në disa pjesë të trupit si në pëllëmbë të duarve dhe shputat e këmbëve ose të shpërndara në gjithë trupin. Shumë rrallë shfaqet edhe një formë tjetër që quhet eritrodermia psoriatike, e cila shfaqet me skuqje dhe rrjepje në të gjithë trupin.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: