Referuar situatës në Kosovë, ku katër ish-drejtues të UÇK u përballën me akuzat për krime lufte në Gjykatën e Hagës, kryeministri Edi Rama ka publikuar në “facebook’ dëshminë rrëqethëse të njërit prej djemve, që iu bashkua ushtrisë dhe për rrjedhojë humbi vëllanë e tij në luftë. Bëhet fjalë për historinë e Kjan Gurit, për të cilën Rama shpreh mirënjohje dhe respekt.

Në videon e publikuar nga kryeministri, Kjan Guri tregon për momentin kur iu desh të luftonte pranë UÇK, duke theksuar se ndryshe nga luftërat e tjera, kjo ishte një luftë për mbrojtje. Ai akuzon ushtrinë serbe që nuk kurseu askënd dhe sërish nuk kanë dalë para drejtësisë për krimet që kanë kryer.

“Nuk kam moment më të lumtur në jetën time sesa ai kur kam veshur uniformën e UÇK-së. Të gjithë luftëtarët e lirisë të cilët kanë marrë pushkën në krahë për t’i dalë zot kësaj toke kanë qenë të përgatitur se edhe të merrnin plumbin, por përpara ne kemi pasë një qëllim madhor: Ta çlirojmë këtë vend njëherë e përgjithmonë.

Pas rënies së vëllait, Feriz Guri, dëshira e babait ishte që unë ta trashëgoj dhe ta mbart armën e tij. Dhe ai kishte një porosi dhe një mesazh të qartë: unë kam dhe djem të tjerë për Kosoën dhe se lufta për liri duhet të vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të vendit. Lufta jonë ka qenë për mbrojtje, kjo është madhështia e saj. UÇK nuk ka bërë krime, ka bërë luftë mbrojtëse. Ushtria dhe policia serbe nuk kanë kursyer asgjë, as fëmijët, as gratë shtatzënë, as motrat, as baballarët, as pleqtë. Si është e mundur që edhe pas 21 viteve, kriminelët nuk kanë dalë para drejtësisë“, shprehet Kjan Guri.

Mesazhi i Ramës:

LIRIA KA EMËR??????
Kjani Guri, që si djalë i ri iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot përlotet në rrëfimin e tij për luftën dhe humbjen e vëllait bashkëluftëtar, në ndërkohë që UÇK përballet me epilogun dramatik të një kalvari të gjatë plot akuza, trillime, fabrikime, për drejtësinë e pastërtinë e luftës së saj heroike…
Respekt dhe mirënjohje për çlirimtarët e Kosovës?
Ju ftoj ta shikoni dhe shpërndani këtë histori.
#LiriaKaEmer @LiriaKaEmer
#LavdiUÇK #RroftëKosova

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb