Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi se vendi i tij “do ta rrisë numrin” e raketave kineze CM-400, si dhe do të blejë avionë të rinj ushtarakë.
Ai i bëri këto deklarata gjatë një stërvitjeje ushtarake dhe prezantimit të armatimit të Ushtrisë së Serbisë.
Ngjarja u organizua më 28 qershor në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, dhe në poligonin Pasulanske Livade në Serbinë qendrore, me rastin e festës shtetërore dhe fetare të Vidovdanit.
Gjatë stërvitjes u demonstruan aftësitë e njësive artilerike dhe raketore për mbrojtje kundërajrore, si dhe operacionet e aviacionit, njësive të tankeve, këmbësorisë, njësive të mekanizuara, artilerisë dhe dronëve.
Paraprakisht, në aeroportin ushtarak “Nënkolonel-pilot Millenko Pavlloviq” në Batajnicë, Vuçiq vizitoi ekspozitën e pajisjeve dhe armatimit ushtarak, ku u ekspozuan edhe raketat CM-400, të cilat Serbia i bleu nga Kina në muajin mars.
“CM-400 janë raketa të frikshme. Do ta rrisim numrin e tyre”, tha Vuçiq.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, Serbia ka vazhduar ta thellojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), në periudhën 2020–2024, Serbia importoi pjesën më të madhe të armëve nga Kina (57 për qind), ndjekur nga Rusia (20 për qind) dhe Franca (7.4 për qind).
