Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është shumë e qartë në objektivat e saj e që është anëtarësimi në NATO. Osmani kërkoi mbështetje nga të gjitha vendet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partnerit për Paqe. Sipas Osmanit, Kosova është e përkushtuar për rrugën evropiane dhe demokratike, ndryshe nga Serbia.

Këto deklarata Osmani i bëri në hapjen e punimeve të Seminari të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.

“Vlerat demokratike dhe rregullat mbarë botërore jo vetëm që po kërcënohen por janë duke u sulmuar… Fokusi në zhvillim e sipër në çështjet e sigurisë nga Aleanca Euroatlantike ka ndikim të madh si në Kosovë ashtu në NATO, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihen si një problem i jashtëm që konkurrojnë për të marrë vëmendjen e komitetit euroatlantik. Vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë mirë se cilat janë pasojat e luftërave të përgjakshme në mes të Evropës. Përfaqësoj një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimit kundër njerëzimit, sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria kanë sjellë deri tek liria e fituar me gjak dhe me djersë”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se Serbia refuzon të bëhet pjesë e NATO-s dhe është afruar edhe më tej me Rusinë duke treguar shumë për këtë shtet. Ndërsa Kosova kërkon të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe.

“Serbia ka qenë në projekte të përbashkëta me NATO-n derisa e refuzon anëtarësimin në NATO. Përafrimi i saj me Rusinë flet shumë. Ne ende nuk jemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Kosova është e qartë në qëllimin e saj për t’u bërë anëtarë dhe për të kontribuar në këtë drejtim për këtë arsye është shumë me rëndësi që çdo anëtar i NATO-s ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Rusia është më shumë sesa shkatërrues i projekteve por është një rrezik i vërtetë i paqes dhe stabilitetit…. Putini mundet të tërheq krahasime të papërshtatshme mos të harrojmë që të gjithë ne në Kosovë e dimë që e vetmja që mund të krahasohet ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999, është krimet jashtëzakonshme dhe të tmerrshme që Putini është duke i kryer sot”, tha ajo.

Në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. Ajo do të zgjasë tri ditë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb