Tre pikë diferencë plus në raport me Partizanin i japin më shumë qetësi Edi Martinit ta përgatis si duhet këtë sfidë. Pavarësisht këtij fakti, Martini kërkon ta mbyll çështjen titull që këtë të hënë. Në lidhje me pyetjen se në fushë përballen ekipi me mbrojtjen më të mirë kundër sulmit më të mirë, Martini ka një emërues të përbashkët:

“Ndeshja e karrierës kundër Partizanit? Po, e vërtetë, ndaj Partizanit është ndeshja më e rëndësishme e karrierës time si trajner. Jemi në një pikë që ne duhet të bëjmë çmosin që ta mbyllim kampionatin që këtë javë, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Mbrojtja më e mirë me sulmin më të mirë? Unë them që jemi ekipi më i mirë. Jo, nuk do të luajmë në mbrojtje. Ne do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë, pavarësisht se një pikë mund të jetë e kënaqshme, por ne do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen.

Shpresojmë, po bëjmë stërvitje mjaft mirë. Djemtë mezi e presin këtë ndeshje, kështu që është një ndeshje që duhet ta fitojmë patjetër. Ne jemi në krye dhe normalisht që na presin ndeshje të rëndësishme dhe delikate. Janë ndeshje për t’u fituar, jo për të luajtur futboll të bukur.

Do të kërkojmë nga sekondi i parë e deri në fund për të fituar ndeshjen. Partizani është në presion më tepër, ata duhet të fitojnë me patjetër. Ne luajmë për dy rezultate, ne jemi më të uritur për ta marrë këtë kampionat.

Nga fillimi e deri në këtë moment që flasim, ne kemi derdhur shumë djersë dhe kemi bërë shumë sakrifica. Mendoj se ky qytet e meriton një titull në këto momente”, tha Martini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb