Islanda vërtetoi dhe një herë se Edy Reja ende nuk e ka “shkopin magjik” për të ndryshuar mentalitetin, për ti dhënë kuqezinjve atë shkëndije që i mungon prej kohësh, nuk e ka ende një formulë fituese. Pa diskutim që kuqezinjtë kanë pësuar rritje në vitet e fundit, ky është fakt, por sërish nuk mjafton, të gjithë pretendojnë diçka më shumë nga kjo përfaqësuese, fundja e vlera totale e përfaqësueses së Islandës është aq sa kushton vetëm Berat Gjimshiti, por në fund as kjo nuk kishte rëndësi, nuk ishte e dukshme në fushë përballë ishullorëve.

Shqipëria kërkon të fitojë këtë grup në Ligën e Kombeve, një objektiv që tani lidhet ngushtë me sfidën e së premtes kundër Izraelit. Për momentin Islanda qëndron në krye me 2 pikë në 2 ndeshje, Shqipëria ka shansin të marr kreun e grupit menjëherë, por më parë duhet të mposht Izraelin. Në katër përballjet në të shkuarën, Shqipëria ka dy fitore, por aq sa edhe Izraeli.

Edy Reja dhe stafi i tij shpresojnë shumë të kenë në dispozicion Armando Brojën, sulmuesi e ka kaluar COVID-19 por ende nuk është bashkuar me grupin. Broja shihet nga të paktët lojtarë që mund të bëjë diferencën në këto momente, ndërsa Asllani dhe Nedim Bajrami, dy lojtarët e shumë përfolur në Serie A ende nuk po arrijnë të përshtaten si duhet, madje Bajrami nuk u preferua asnjë minutë në sfidën kundër Islandës. Në “Air Albania” kundër Izraelit, Shqipëria do të ketë dhe një mbështetje të madhe në shkallët e stadiumit, teksa deri më tani janë shitur afro 10 mijë bileta, në fakt suproti i tifozëve nuk i ka munguar kurrë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb