TIRANE– Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 2 vite burg për të riun Jenis Lika, i cili kërcënonte ish-të dashurën me foto intime.
Pas shantazheve të vazhdueshme, Lika i kishte kërkuar një shumë parash vajzës, konkretisht 8 milionë lekë të vjetra.
Ai e kërcënonte se nëse ish e dashura nuk i bindej duke mos i dhënë lekët, atëherë ai do t’i publikonte disa foto intime të sajat, gjatë kohës kur ata kishin qenë të lidhur.
PERNDJEKJA
Në kallëzimin e depozituar më 11 shkurt 2017, kallëzuesja me iniciale B. I. ka sqaruar se kishte pasur një lidhje dashurie me të pandehurin në periudhën maj-tetor 2016, gjatë së cilës kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale. Në muajin tetor, të dëmtuarës i ka dalë e drejta e studimit në shkollën e lartë në Tiranë. Jenisi nuk ka qenë dakord që ajo të vazhdonte shkollën, pasi i kishte thënë se nuk do të kthehej më në Korçë dhe për këtë arsye ata i kanë shkëputur kontaktet.
Në muajin nëntor 2016, pasi ata i kishin ndërprerë kontaktet, Jenisi ka telefonuar të dëmtuarën dhe duke i thënë se duhet t’i jepte 800 mijë lekë të reja, e kërcënonte se në të kundërt do t’i publikonte në rrjetet sociale fotot intime që kishin bërë bashkë. E dëmtuara, duke e ditur ekzistencën e këtyre fotove, i ka thënë Jenisit se nuk kishte përse t’i publikonte. Jenisi ka vazhduar të këmbëngulë se, po të mos i jepte paratë, do t’i shpërndante fotot në Instagram. Këtë kërcënim Jenisi ia bënte një herë në dy–tri ditë. Pas shumë përndjekjesh, vajza denoncoi të riun në polici.
(ed.me/BalkanWeb)