Negociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë arritur një marrëveshje paraprake për një memorandum mirëkuptimi 60-ditor, që synon vazhdimin e armëpushimit dhe hapjen e një faze të re negociatash për programin bërthamor iranian, raportoi mediumi amerikan Axios.

Sipas raportimit, marrëveshja është arritur në parim dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të çështjeve të sigurisë, sanksioneve ekonomike dhe programit bërthamor të Teheranit.

Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim rajonal, shkruan se diskutimet kanë avancuar më shumë se në raundet e mëparshme të dialogut.

Marrëveshja paraprake përfshin disa pika kyçe:

– Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për kalim të pakufizuar të anijeve. Irani nuk do të vendosë tarifa dhe nuk do të pengojë apo ngacmojë mjetet detare. Gjithashtu, Teherani është zotuar të largojë të gjitha minat nga kjo rrugë strategjike detare brenda 30 ditëve.

– Shtetet e Bashkuara do të fillojnë heqjen graduale të bllokadës ndaj porteve iraniane, në përputhje me rikthimin e transportit tregtar detar.

– Për programin bërthamor, Irani do të angazhohet që të mos zhvillojë armë bërthamore. Palët do të negociojnë edhe për menaxhimin dhe asgjësimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë.

– Uashingtoni është zotuar të diskutojë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira, si dhe mënyrat për furnizimin e Iranit me mallra dhe ndihma humanitare.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo autoritetet iraniane lidhur me finalizimin e memorandumit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: