Kremlini është ankuar në lidhje me furnizimin me armë që Perëndimi po i bën Ukrainës.

Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se është duke i hedhur qëllimisht benzinë zjarrit, referuar deklaratës së Uashingtonit se do të furnizonte Ukrainën me sisteme të avancuara raketore.

“Furnizimet e tilla nuk e inkurajojnë Kievin të rifillojë bisedimet e paqes”, tha për gazetarët zëdhënësi rus, Dmitry Peskov.

Ai shtoi se Uashingtoni dëshironte të luftonte Rusinë deri në momentin që edhe ukrainasi i fundit të jetë gjallë.

Shtetet e Bashkuara ranë dakord të sigurojnë raketa të drejtuara me saktësi, të cilat mund të arrijnë objektiva deri në 70 km larg. Uashingtoni bëri me dije se të tilla armatime do t’i dërgohen Kievit, vetëm pasi kanë marrë garanci se nuk do të përdoren për të sulmuar objektiva brenda territorit rus, por vetëm për vetëmbrojtje.

Më herët, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se dërgimi i planifikuar i këtyre armëve të reja në Ukrainë rrit rrezikun e tërheqjes së SHBA-së në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

“Çdo furnizim me armë që vazhdon… rrit rreziqet e një zhvillimi të tillë. Kjo është e paprecedentë, kjo është e rrezikshme”, tha ai.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se furnizimi me sisteme të avancuara raketore të SHBA-së në Ukrainë rrit rrezikun që një “vend i tretë” të tërhiqet në konflikt.

Në një konferencë shtypi në Arabinë Saudite, Lavrov tha gjithashtu se Rusia po përballet me vështirësi në eksportimin e grurit për shkak të sanksioneve kundër anijeve të saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: