Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, javën e ardhshme do të vizitojë Izraelin.

Sipas një raporti të botuar në Axios, bazuar në zyrtarë anonimë izraelitë, është planifikuar që Austin të takojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz.

Liderët pritet të adresojnë çështjet rajonale, përfshirë Iranin, si dhe situatën në Siri dhe Liban.

Vizita e shefit të mbrojtjes së SHBA-së do të shënojë udhëtimin e parë të nivelit të kabinetit në Izrael që kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mori detyrën në muajin janar.

Kjo vjen në mes të një rritjeje të sulmeve të fshehta detare midis Iranit dhe Izraelit në Detin e Kuq dhe Gjirin Persik. Raporte të shumëfishta thanë se Izraeli ka sabotuar në mënyrë të fshehtë anije dhe tankera iranianë drejt Libanit dhe Sirisë.

Anijet thuhet se po transportonin armë dhe naftë në Liban dhe Siri.

Irani është hakmarrë duke shënjestruar anijet në pronësi të Izraelit në det, përfshirë një sulm të dyshuar me raketa më 25 mars dhe një sulm tjetër të dyshuar në fund të muajit shkurt.

Sot, raportet thanë se një anije mallrash e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit u sulmua në brigjet e Eritreas.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb