Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka realizuar një vizitë në Rumani, ku u takua me homologun e tij rumun, Nicolae Ionel Ciuca.

Pas një vizite në ambasadën turke në Bukuresht, ministri Akar vazhdoi drejt Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, ku u prit me një ceremoni ushtarake para takimit me ministrin Ciuca.

Akar dhe Ciuca diskutuan çështjet dypalëshe dhe rajonale në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, gjatë takimit Akar theksoi se Rumania është një aleat i rëndësishëm dhe se të dy vendet kanë punuar së bashku në shumë misione të NATO-s.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes së Detit të Zi si një “det paqeje”.

Akar po ashtu vizitoi memorialin e dëshmorëve të 935 ushtarëve turq që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore, ku gjatë vizitës u shoqërua nga ministri Ciuca.

Ministri turk vizitoi edhe Divizionin Shumëkombësh Juglindor të NATO-s, ku u takua me ushtarët turq në detyrë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb