TIRANE– Pretendimi i opozitës ditët e fundit se policia ka survejuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe familjarët e tij, ka ngjallur jo pak reagime. Por lidhur me këtë çështje, drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka, thotë se nuk ka asnjë situatë të tillë.

Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, ai tha se nuk ka asnjë lloj përgjimi të Bashës apo të ndonjë politikani tjetër.

“Jam në të njëjtë linjë me qëndrimin zyrtar të Policisë së Shtetit, jo për t’i qëndruar atij reagimi publik, por për faktin se nuk ka asnjë gjë të vërtetë në atë deklaratë publike të bërë nga opozita. Z.Basha si kryetar i opozitës, gëzon mbrojtje të veçantë nga Garda e Republikës, që i ofrohet jo vetëm atij, por secilit kryetar të partive kryesore. Mbrojtja konsiston në sigurinë fizike të personit dhe familjes së tij. Kjo bëhet sipas nevojave, problematikave që mund të këtë. Nuk ka asnjë lloj përgjimi të Bashës apo të asnjë politikani”, u shpreh Gjovalin Loka, kreu i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb