Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, shkoi në Komisariatin nr.1, ku pati mundësinë të takojë protestuesit e arrestuar sot.
“Pata mundësinë të takoj 6 prej tyre këtu në komisariat. Disa janë dhunuar fizikisht. Kanë shenjat e dhunës në trup. Janë të rinj dhe të reja që janë ndaluar thjesht sepse protestonin kundër qeverisë së korruptuar, kundër Edi Ramës, sepse duan politikanët e korruptuar para drejtësisë”, deklaroi Shehaj.
Sipas tij, 11 protestuesit janë djem dhe vajza të rinj, tërësisht paqësorë.
“U kanë marrë telefonat, u kanë fshirë materiale dhe janë ndaluar pa iu dhënë një arsye të qartë. Madje, as vetë policia nuk dinte t’u shpjegonte pse ishin ndaluar”, tha Shehaj.
Shehaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.
“Janë thjesht të rinj e të reja që protestojnë sepse duan fundin e të korruptuarve dhe një Shqipëri të drejtë, normale dhe të jetueshme. Protesta nuk ndalet me arrestime. Protesta vazhdon pavarësisht dhunës së policisë”, u shpreh Shehaj.
