TIRANË – Ish-ministri demokrat i Shëndetësisë, Tritan Shehu, e ka konsideruar takimin e Kryeministrit Rama me mjekët në QSUT si “një fitore të parë” kundër testimit të paligjshëm në shëndetësi, për nga mënyra sesi u zhvillua: Me rikthimin e Ramës në QSUT dhe me dyer të mbyllura. Megjithatë, Shehu gjykon se “qe një sukses, por akoma jo i plotë dhe i përkohëshëm”, pasi kreu i Qeverisë nuk është tërhequr nga ideja e testimit.

“Kryeministri, sot përsëri në QSUT,- shkruan Shehu në Fb. – Ndryshe nga dje ai takoi shefa shërbimesh aty. Takimi që iu dedikua “testimit”, ishte i paparaprirë nga një platformë, pa pjesëmarrjen e mediave, i nxituar e përsëri i sforcuar. Mënyra si u zhvillua ai, tingëllon si nje fitore e parë e personelit shëndetësor shqiptar, që iu kundërvu atij “testimi” të paligjshëm.”

Shehu ka ngritur një paralele ndërmjet qëndrimit të Ramës ndaj mjekëve sot dhe atij të para disa ditëve, kur po vetë paralajmëroi testimin.

“Deklaroi sot se akoma nuk ka asnjë platformë për “testimin”, se kjo periudhë do të jetë e gjatë, duke permendur “tetorin”, – analizon Shehu më tej, – kur vetëm para disa ditësh ishin percaktuar dhe muajt e shkurtit dhe marsit; në tërësi kërkoi të tregohej krejt i paqartë për mënyren e realizimit, për pasojat që do të kishte personeli mbas këtij “testimi”, kur para pak ditësh u deklarua shpallja vakant e vendit të punës për “rezultat negativ.”

Kryeministri Rama ishte sërish sot në QSUT, për t’u takuar me shefat e shërbimeve lidhur me problemet që i shqetësonin. Vizitën e parë këtë vit ai e kreu dje, kur inaguroi 20 autoambulancat e reja për Shërbimin e reformuar të Urgjencës.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: