TIRANË

IKMT ka shembur sot disa banesa në lagjen “5 Maji”, në Tiranë. Aksioni i IKMT është shoqëruar me protestë nga banorët, të cilët kundërshtojnë prishjen e shtëpive të tyre.

Nga “5 Maji”, gazetari Osman Stafa raporton për News24 dhe BalkanWeb se sot pritet të shemben 11 banesa, që preken nga projekti i Unazës së Madhe, por edhe për shkak se aty parashikohet të ndërtohen pallate për banorët e prekur nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit 2019.

Aksioni për shembjen e banesave pritet të vijojë edhe ditët në vijim. Disa prej familjeve kanë pranuar marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, por disa të tjerë jo, duke kundërshtuar aksionin.

Kjo ka bërë që aksioni i IKMT të shoqërohet me përplasje dhe tension mes banorëve dhe policisë, teksa këta të fundit i kanë nxjerrë banorët me forcë nga shtëpitë.

E gjithë zona është rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa siç shihet në pamjet që sjell News24, banorët që kanë arritur marrëveshjen me bashkinë, i kanë liruar shtëpitë pa tensione.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb