Në moshën 36-vjeçare Dritan Abazoviç është zgjedhur në krye të qeverisë të Malit të Zi, duke u bërë kështu i pari kryeministër shqiptar në këtë shtet dhe i treti në Ballkanin Perëndimor në këtë moment. Qeveria e tij e pakicës u votua sot, duke shënuar një moment historik për Malin e Zi.

Dritan Abazoviç lindi më 25.12.1985 në Ulqin. U rrit në qytetin e lindjes, ku e përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Gjatë shkollës së mesme themeloi grupin rinor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili për fokus të veprimtarisë kishte pajtimin e të rinjve në zonat post-konfliktuale të ish-Jugosllavisë. Në vitin 2004 Abazoviç e regjistroi Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Titullin politolog e fitoi tre vjet më vonë, duke përfunduar fakultetin katër vjeçar në afat rekord për vetëm dy vjet e shtatë muaj. Ishte studenti më i mirë i gjeneratës, si dhe fitues i Medaljes së Artë dhe Mirënjohjes së Artë të Universitetit të Sarajevës. Studimet e magjistraturës i regjistroi në vitin 2007 në Universitetin e Malit të Zi, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike. Disertacionin e doktoratës në degën e teorisë politike, me temë “Politika globale – aspektet etike të globalizimit” e mbrojti në vitin 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.

Si bursist i organizatave norvegjeze u aftësua në Universitetin e Oslos, ku përfundoi “Studimet e paqes” (“Peace research”). Po ashtu, ishte pjesëmarrës i programeve profesionale në Amerikë, Austri, Belgjikë, Slloveni, Spanjë dhe Luksemburg… Ishte ligjërues në shumë konferenca ndërkombëtare dhe panelist në disa nga Universitetet më prestigjioze. Ndër të tjerë, në Kolegjin për Art dhe Shkenca Shoqërore të Institutit për Teknologji MSU Ilgan (College of Arts and Social Sciences, MSU – Ilgan Instutute of Technology) në Filipine, në Universitetin Bilgi (Bilgi University) në Stamboll mbajti ligjërimin me temë “Konceptet e reja të sigurisë njerëzore në sektorin e politikës” (“New concept of human security in sector of politics”), ndërsa në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Malit të Zi me temë “Sfidat e krizës ekonomike globale”. Pak kohë më parë ishte ligjërues në Shkollën Ekonomike të Londrës (London school of economy – LSE), si dhe në konferencën shkencore “Përmirësimi kognitiv dhe moral i disponimit” të cilin Qendra për Studime Bioetike (CBS) e organizoi me Universitetin e Oksfordit. Përveç tyre, Abazoviç mori pjesë në panel-diskutime të shumta me temë Bashkimin Evropian, integrimet euroatlantike dhe të ngjashme.

Ndoqi shkolla, seminare dhe konferenca të shumta. Përfundoi Akademinë Rajonale për Demokraci e cila u mbajt në Suboticë, Zagreb, Durrës dhe Barcelonë, si dhe Shkollën e Liderëve të Rinj nga fusha e politikës, ekonomisë, teknologjisë dhe kulturës në kuadër të Forumit Strategjik në Bled – Slloveni. Ishte vijuesi më i mirë i Shkollës Bullgare të Politikës për vendet e Ballkanit Perëndimor në Sofje. Abazoviç përveç gjuhës malazeze flet edhe gjuhën angleze dhe shqipe. Është autor i librit “Kultura kozmopolite dhe drejtësia globale” i cili u botua në vitin 2010. Në karrierën e deritashme publikoi mbi dhjetë punime shkencore në revistat vendase dhe ndërkombëtare, kryesisht në lëmin e filozofisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Shkroi dhjetëra opinione për gazetat dhe portalet e mediave me renome, siç janë: “Vijesti”, “Al Xhazira Balkan” (“Aljazeera”) dhe “PCNEN”.

Abazoviç
Abazoviç

Postet

Nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi 2020 –

Kryetar i Këshillit për Luftë Kundër Korrupsionit në Nivel të Lartë 2021 –

Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijës 2021 –

Shef i Byrosë për Koordinim Operativ 2021 –

Kryetar i Komisionit për Sistem Politik 2021 –

Deputet në Kuvendin e Malit të Zi 2012 – 2020

KARRIERA POLITIKE

Dritan Abazoviç u përfshi mjaft herët në jetën politike të Malit të Zi. Ishte themelues i partisë politike qytetare Mali i Zi Pozitiv në maj të vitit 2012. Në zgjedhjet parlamentare të të njëjtin vit Mali i Zi Pozitiv fitoi shtatë mandate në Kuvendin e Malit të Zi. Abazoviç ishte deputeti më i ri në parlamentin malazez, e pas kësaj edhe njëri ndër deputetët më aktiv në Kuvend. Mirëpo, në vitin 2014 erdhi deri tek përplasja e qëndrimeve në mes Abazoviçit dhe udhëheqjes së partisë dhe ai së bashku me shumicën e anëtarëve lëshoi Malin e Zi Pozitiv dhe në Kuvendin e Malit të Zi veproi si deputet i pavarur. Në fillim të vitit 2015 themeloi URA-në, lëvizjen qytetare integraliste politike. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat në Mal të Zi u mbajtën në vitin 2016, URA morri pjesë si pjesë e “Koalicionit të Madh – Çelësi”. Abazoviç u rizgjodh deputet në Kuvendin e Malit të Zi. Mbahen mend grindjet e tija të hapura me deputetët dhe liderin e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve, kur për shkak të aferave të shumta kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Në Kongresin e lëvizjes URA, i cili u mbajt në prill të vitit 2017, Abazoviç u zgjodh kryetar, post të cilin e mban edhe sot. Është përfaqësuesi i parë i një pakice i cili u zgjodh në krye të një partie qytetare në historinë e jetës parlamentare të Malit të Zi. E afirmoi konsiderueshëm partinë në planin ndërkombëtarë dhe rajonal, ndërsa vlen të përmendet se një nga sukseset më të rëndësishme në karrierën e tij politike është fakti që në korrik të vitit 2020, në Kongresin e të Gjelbërve të Evropës, URA është bërë partia e parë opozitare në Malin e Zi të pavarur e cila u bë pjesë e ndonjërës nga familjet e partive evropiane.

Në mesin e korrikut të vitit 2020 URA i prezantoi opinionit platformën „E zeza në të bardh”, e cila tuboi njerëzit mendimlirë dhe subjektet si CIVIS, Forumi i Bokës dhe Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit. Ky program nënkuptoi disa pika kyçe për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Disa nga këto pika janë: krijimi shtetit të së drejtës dhe beteja pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e sistemit ekonomik, sistemit të arsimit dhe sistemit shëndetësor, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Abazoviç u zgjodh bartës i listës “E zeza në të bardh” e cila mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën në fund të gushtit të vitit 2020. Gjatë fushatës parazgjedhore foli shpesh për idetë që avokojnë, si dhe për strategjitë të cilat dëshirojnë t’i zbatojnë nëse fitojnë besimin e qytetarëve. Synimi i politikës së përfaqësuar nga Abazoviçi është Mali i Zi qytetar, evropian dhe ekologjik.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Koalicioni “E zeza në të bardh” në zgjedhjet për Kuvendin e Malit të Zi arriti qëllimin e vet dhe u bë faktor kyç për pushtetin e ardhshëm. Pikërisht katër mandatet e tyre ishin vendimtare, sepse saktësisht aq janë nevojitur koalicioneve opozitare të formojnë shumicën në parlament dhe për herë të parë në historinë e Malit të Zi të ndryshojnë pushtetin në zgjedhje. Duke iu bashkuar me koalicionet “Për të mirën e Malit të Zi” dhe “Paqja është kombi ynë”, URA dha kontributin e vet që Partia Demokratike e Socialistëve të humb pushtetin pas 30 vjet udhëheqje në Mal të Zi. Pas shpalljes së rezultateve të para preliminare, Abazoviç deklaroi: “Mal i Zi, ta gëzosh lirinë”! U bë sinonim i ndryshimeve jo vetëm në shtetin e vet por edhe në rajon, e shpesh e kanë quajtur “game changer” ose “king maker”.

Ndër të tjera, foli për hapat që dëshirojnë t’i ndërmarrin për të përmirësuar standardin jetësor të banorëve të Malit të Zi. Kur bëhet fjalë për përmirësimi e situatës ekonomike dhe standardit jetësor, qëndrimi i Abazoviçit është që kjo mund të arrihet përmes dy ligjeve sistemore, Ligjit i Prejardhjes së Pasurisë dhe Ligjit i Lustracionit. Qëllimi i tyre është të kontrollohet prejardhja e pasurisë të të gjithë funksionarëve dhe personave të cilët kanë fitim më të lartë se gjysmë milion euro. Abazoviç thekson shpesh që Mali i Zi duhet të ballafaqohet me korrupsionin për shkak të cilit humb nga 150 deri në 200 milion euro në vit. Paralajmëroi ndihmën për sipërmarrjen e vogël e cila është prekur më së shumti nga pandemia e virusit korona, stopimin e akteve të koncesionit të cilët “favorizojnë manjatët nga anembanë bota në dëm të qytetarëve të Malit të Zi”, si dhe shitjen e automjeteve të shtrenjta me të cilët deri tani janë vozitur funksionarët shtetëror. Shpesh e thekson faktin se për shkak të korrupsionit dhe standardit të dobët jetësor, madje 70 për qind e të rinjve dëshirojnë të ikin nga Mali i Zi, si dhe se kjo tendencë duhet të ndalohet sepse “pas numrit të caktuar vjetësh s’do të ketë kush ta mbrojë shtetin, dhe as të shkojë në kishë”.

Më 9 shtator liderët e tre koalicioneve kanë nënshkruar marrëveshjen me të cilën, ndër të tjera, u zotuan se do të forcojnë bashkëpunimin me NATO, të shpejtojnë reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe s’do të iniciojnë çështjen e pavarësisë së Kosovës. U obliguan se do të respektojnë Kushtetutën dhe se s’do të iniciojnë ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit shtetëror të Malit të Zi. Për shkak të performancës specifike dhe historikut të tij u bë “sinonim i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sinonim i unitetit ku njerëzit e të gjitha religjioneve dhe kombësive do të jetojnë në paqe dhe me dinjitet dhe do të luftojnë për Malin e Zi qytetar dhe evropian”.

Parlamenti i Malit të Zi më 4 dhjetor të vitit 2020 e votoi Qeverinë e 42-të me radhë. Abazoviqit iu besua funksioni i nënkryetarit të Qeverisë që mbulon sektorin e sigurisë. Po ashtu, Abazoviç është në krye të Këshillit për Luftë Kundër Korrupsionit në Nivel të Lartë dhe shef i Byrosë për Koordinim Operativ.

Beteja e tij e papërkulur për drejtësi e çoi deri tek konflikti me klanet më të mëdha kriminale në shtet. Gjatë prillit të vitit 2021 policia malazeze arrestoi udhëheqësit e “Klanit të Kavaçëve”, ndërsa gazeta e njohur franceze L Mond shkroi se “Abazoviçi i guximshëm urdhëroi ballafaqimin me mafien dhe se për këtë gjë është i gatshëm të paguajë çdo çmim”. Pas këtij aksion Abazoviç morri kërcënime me vdekje, ndërsa policia e rriti nivelin e sigurisë së tij.

Pas ballafaqimit me kartelin e drogës, aktivitetet e Abazoviçit u përqendruan në mafinë e cigareve. Kontrabanda e cigareve është problemi më i madh i Malit të Zi gjatë disa dekadave të fundit, vlera e së cilës kap shifrën prej miliarda eurosh. Me propozim të kabinetit të Abazoviqit, në korrik të vitit 2021 u miratua vendimi i ndalimit të magazinimit të prodhimeve nga duhani në zonën e lirë të Portit të Tivarit, e njëkohësisht u iniciuan hetimet ndërkombëtare për kontrabandë.

Gjatë kohës së shkurt të kryerjes së pushtetit, Abazoviç arriti ta kthejë tokën e Kripores së Ulqinit në pronësi shtetërore (15 milion m2 – me vlerë rreth 250 milion euro), si dhe të kontribuo miratimin e ligjit me të cilin u kthye pronarëve të vjetër gjiri i Valdanosit me rreth 18.000 rrënjë ullinj.

JETA PRIVATE
Dritan Abazoviç lindi dhe u rrit në Ulqin, u shkollua në vendlindje, Sarajevë dhe Podgoricë, Oslo… Babai Xhaudeti – Xho ishte punëtor i njohur turistik, ndërsa nëna Fadile femra e parë juriste në Ulqin. Vëllai dhe motra e tij, Xhihani dhe Sanella, janë doktorë të mjekësisë. Vëllai është ekspert i njohur në fushën e mjekësisë rigjeneruese dhe përdorimin e qelizave amë në mjekimin e sëmundjeve të ndryshme. Fitues i një sërë çmimesh dhe ligjërues në shumë Universitete botërore. Motra e tij është specialiste e mikrobiologjisë, mjeke dhe humaniste e njohur e cila jeton dhe punon në Ulqin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb