Autoritetet letoneze kanë zbuluar një tunel nën kufirin me Bjellorusinë dhe kanë njoftuar forcimin e masave kundër rrjeteve të kontrabandës së migrantëve, në një kohë kur fluksi i kalimeve të paligjshme në kufirin lindor është rritur. Tuneli dyshohet se është përdorur për të ndihmuar migrantët të kalojnë ilegalisht nga Bjellorusia drejt Letonisë. Kufiri mes dy vendeve shtrihet në rreth 173 kilometra.
Qeveria letoneze ka vendosur të forcojë bashkëpunimin mes rojeve kufitare, policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë, ndërsa do të shtojë përdorimin e dronëve për zbulimin dhe kapjen e migrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin. Kryeministri Andris Kullbergs deklaroi se pas kalimeve të paligjshme qëndrojnë rrjete kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat organizojnë udhëtimin nga Bjellorusia drejt zonës Shengen dhe më pas drejt vendeve të tjera evropiane.
Autoritetet kanë nisur të ashtuquajturin “Operacioni Ujk”, i cili synon goditjen e rrjeteve të kontrabandës nga kufiri deri në destinacionet përfundimtare, si dhe të strukturave që ofrojnë mbështetje për migrantët në territorin letonez.
Në muajin korrik, ushtarët letonezë përdorën gaz lotsjellës dhe të shtëna paralajmëruese për të ndaluar hyrjen e migrantëve nga Bjellorusia. Kryeministri e ka cilësuar situatën si një “kërcënim hibrid”, duke çuar në dyfishimin e numrit të rojeve kufitare. Letonia pritet të bashkëpunojë me Estoninë, Lituaninë, Poloninë dhe vende të tjera të rajonit për të frenuar fluksin e migrantëve.
Edhe Lituania kishte njoftuar më herët për zbulimin e një tuneli të përdorur për kalimin e migrantëve nga Bjellorusia në territorin e saj.
