NGA: XHENSILA KODRA*
Një efektiv policie në Tiranë është plago sur dje me thikë nga një shoku i tij, i cili ka qenë në gjendje të dehur. Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Gjergj Muça, punonjës në Komisariatin Nr.6. Me anë të një njoftimi zyrtar, nga ana e Policisë së Tiranës u bë me dije se në momentin që ka ndodhur ngjarja, efektivi i policisë nuk ka qenë në krye të detyrës.

Burime pranë grupit hetimor sqaruan se, para se të ndodhte plagosja, Muça ka qenë në një lokal nate me disa miq dhe në momentin që ka dalë prej andej, ai ka debatuar me një nga shokët e tij, i cili e ka qëlluar më pas me thikë. Për pasojë, Muça ka marrë plagë në disa pjesë të trupit, ndërsa është gjetur i shtrirë në rrugë nga disa kalimtarë të rastit. Gjergj Muça u transportua në SQU “Nënë Tereza”. Mësohet se i riu ka pësuar dëmtime të lehta në dorën e djathtë dhe në faqe.

NGJARJA
Ka qenë ora 03:50 minuta, kur në afërsi të një qendre tregtare në Rrugën e Elbasanit, Gjergj Muça është plagosur me thikë nga një miku i tij. Burime nga policia thanë për “GSH”, se ngjarja në fjalë ka ndodhur pas një konflikti banal që kanë pasur dy të rinjtë. Ata, së bashku me disa persona të tjerë kanë qenë një lokal nate, dhe kur po ktheheshin prej andej, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Policia e Tiranës nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me ngjarjen, ndërsa ka theksuar se efektivi i policisë nuk ka qenë në krye të detyrës në momentin që ka ndodhur ngjarja. “Më datë 11.03.2016, rreth orës 03:50, në afërsi të një qendre tregtare në Rrugën e Elbasanit është dëmtuar shtetasi Gjergj Muça, 31 vjeç, banues në Tiranë, efektiv policie në Komisariatin Nr.6.

Ky shtetas është i dëmtuar në pjesën e duarve dhe të fytyrës, dëmtime këto të pësuara nga mjete prerëse. Sqarojmë se nuk ka qenë në krye të detyrës në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Gjergj Muça ndodhet në SQU-të nën kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha zyrtarisht policia. Sakaq, burimet e sipërpërmendura thanë më tej se, 31-vjeçari është gjetur i shtrirë në rrugë nga disa kalimtarë të rastit të cilët kanë qenë duke udhëtuar me makinë. Pasi kalimtarët kanë konstatuar të riun në rrugë, menjëherë kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur punët për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.

Ndërkohë, teksa Muça është marrë në pyetje nga grupi hetimor, fillimisht nuk ka treguar për atë se çfarë i ka ndodhur, duke thënë se nuk e njihte personin që e kishte plagosur. Më pas, ai ka sqaruar se, para se të plagosej kishte debatuar për motive të dobëta me një shokun e tij, i cili ishte edhe autori i ngjarjes.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: