Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një familje në Vaqarr të Tiranës, ku djali dhunoi të atin, qëlloi me armë zjarri në banesë dhe kërcënoi me jetë policët.

Gazetarja Dorjana Bezat zbulon për “News24” dhe “BalkanWeb” se autori i ngjarjes është 42-vjeçari Ridian Lamja, ndërsa zbardh edhe dëshminë e tij para policëve, pasi u arrestua pas disa orësh ndjekje.

Siç mëson gazetarja Bezat, 42-vjeçari mësohet të ketë thënë para policëve se ka pasur konflikte të shpesha me të atin.

“Me babain kam pasur shpesh here konflikte. Zihemi sa here qe une pi aklool. Dhe mbreme per pijen nisi sherri. Ai nuk do qe une te dal jashte. U nxeva dhe qellova me pistolete ne tavan per ta trembur”, ka thënë Lamja.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bulticë, Vaqarr. Policia u njoftua nga fqinjët se në banesën e familjes Lamja ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, 42-vjeçari ka kërcënuar policinë se do të qëllojë në drejtim të tyre, nëse afrohen. Ai ka përfituar nga errësira dhe ka dalë nga dera e pasme e shtëpisë. Policia është vënë në ndjekje dhe e ka arrestuar brenda një banese të braktisur në periferi të fshatit. Ndërkohë, gjatë arrestimit, 42-vjeçari nuk ka bërë rezistencë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb