VLORË- Një konflikt i vazhdueshëm mes pronarëve të dy firmave të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në fshatrat e Vlorës ka degjeneruar sot në përdorimin e dhunës. Sipas burimeve zyrtare ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:00, në fshatin Lepenicë.

Konflikti ka ndodhur midis firmës së nxjerrjes dhe përpunimit të gurit “Y…sh.p.k” me pronarë shtetasin Ylli Salla, 53 vjeç, banues në Elbasan dhe firmës tjetër të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit “A… sh.p.k” me pronarë shtetasin Ahmet Canaj.

Motivi kryesor i këtij konflikti ka ndodhur për shkak të një rruge, ku supozohet se Firma “A… sh.p.k” ka investuar për ndërtimin e rrugës e cila të çon në pikën e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dhe Firma “Y… sh.p.k” ka patur për detyrim të paguajë një pjesë të investimeve, detyrim të cilin dyshohet se nuk e ka shlyer (Aktualisht këto dy firma janë në Gjyq-Civil).

Konkretisht, ditën e sotme rreth orës 14:00, shtetasi Ahmet Canaj, në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë që dyshohen të jenë punëtor të firmës së tij (në proces verifikimi), i kanë dalë përpara duke i bërë pritë (në rrugën për të cilën janë përfshirë në konflikt) djalit të Ylli Sallës, shtetasit K.S., 17 vjeç, i cili po kalonte në këtë rrugë me mjetin e tij Kamion “MAN” me targë AA 676 MJ.

Gjatë konfliktit personat kanë qëlluar me mjete të forta (gurë, dru) në drejtim të mjetit, duke dëmtuar kështu vetëm xhamat e mjetit.

Për pasojë, shtetasi K.S., është dëmtuar lehtësisht në gishtin e dorës së djathtë ndërsa personat e tjerë nuk kanë pësuar asnjë dëmtim.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Ahmet Canaj, 43 vjeç, banues në Vlorë dhe punohet për kapjen e tij.

Konflikti midis këtyre dy firmave është i njohur nga Policia pasi ka qenë i vazhdueshëm.
Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, më datë 28.09.2016, është arrestuar shtetasi  Vendim Dyrmishaj, për arsye se ka kanosur shtetasin Ylli Salla, për të njëjtin konflikt të theksuar më lart.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të Ahmet Canaj dhe 5 shtetasve të tjerë në proces verifikimi, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Vetëgjyqësi”, “Plagosje e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb