Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka marrë fjalën në protestën e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke përcjellë një mesazh për qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë dhe duke e cilësuar sheshin të mbushur me “shqiptarë të mirë”.
I pritur me duartrokitje nga mijëra protestues, Malkaj falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe emocionet që, sipas tij, e kanë sjellë sërish në podium.
“Ju më falni shumë dashuri, sepse duartrokitjet tuaja më kanë bërë të vij deri këtu. O njerëz, ne që jemi këtu jemi shqiptarë të mirë, kjo nuk diskutohet”, u shpreh aktori.
Në vijim të fjalës së tij, Malkaj përcolli edhe një mesazh për atdhedashurinë, duke theksuar se vendi duhet të jetë mbi gjithçka.
“Për dashurinë jap jetën, por për Atdheun jap dashurinë”, deklaroi ai, mes brohoritjeve të protestuesve.
Protesta para Kryeministrisë vijon me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe ndryshime në sistemin politik.
