Shtatë persona rezultojnë ende të zhdukur në Guangzhou, kryeqytetin e Provincës Guangdong, pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje dhe një rrëshqitje dheu.

Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, rrëshqitja e dheut, e shkaktuar nga shiu, ka goditur një fshat në rrethin Baiyun të Guangzhout herët në mëngjesin e sotëm, duke zënë nën rrënoja 14 persona.

Deri në mesditë, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë shtatë nga të bllokuarit.  Gjithsej 996 banorë janë evakuuar deri në orët e pasdites.  Autoritetet kanë angazhuar 607 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe 733 njësi pajisjesh.

Ndërkohë, provinca Guangdong shpalli përgjigjen emergjente të Nivelit IV, shkalla më e ulët, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe përmbytjeve.

Provinca ka përjetuar reshje të dendura që nga fillimi i javës, të cilat pritet të zbuten të enjten dhe të premten.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb