NGA: ORNELA MANJANI*
Ndryshojnë proce durat për shitbler jen e makinave. Për mjetet që kanë detyrime të papaguara noteri nuk mund të lidhë kontratën e shitblerjes, por është i detyruar të njoftojë palët për detyrimin. Kjo është një nga pikat e udhëzimit Nr.232, datë 14.1.2016 mbi ndryshimin e pronësisë së mjeteve rrugore që mban firmat e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri. Qëllimi i këtij udhëzimi është të krijojë kuadrin e nevojshëm normativ për përcaktimin e procedurave, kompetencave, kritereve dhe dokumentacionit për ndryshimin e pronësisë së mjeteve rrugore dhe përditësimin e lejes së qarkullimit të tyre, në mënyrë që të garantohet evidentimi i saktë i pronësisë mbi këto mjete.

DOKUMENTET
Në udhëzim është përcaktuar që dokumentacioni që dorëzohet për mjet të regjistruar në DPSHTRR, palët e interesuara për të nënshkruar një kontratë për kalim pronësie të mjetit, përpara noterit duhet të paraqesin: Leje qarkullimi, e lëshuar nga DPSHTRR-ja në emër të pronarit aktual, në cilësinë e shitësit, certifikatë pronësie, e lëshuar nga DPSHTRR- ja në emër të pronarit aktual, në cilësinë e shitësit dhe dokument identifikimi ose prokurën e lëshuar nga palët kontraktuese së bashku me dokumentin e identifikimit të përfaqësuesit. Palët e interesuara për të nënshkruar një kontratë për kalim pronësie të mjetit të paregjistruar në DPSHTRR, përpara noterit duhet të paraqesin:

1. Dokumentin e origjinës së mjetit me treguesit teknikë;

2. Dokumentin e fitimit të pronësisë në rast se subjekti që paraqet dokumentet përpara noterit nuk rezulton pronar i mjetit në dokumentin e përcaktuar në pikën 1;

3. Dokument identifikimi ose prokurën e lëshuar nga palët kontraktuese së bashku me dokumentin e identifikimit të përfaqësuesit. Udhëzimi është botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi sot.

VERIFIKIMI NGA NOTERI
Verifikon gjeneralitetet e palëve. Fotokopjet e kartave të identitetit i bashkëngjit me kontratën me adresa të sakta sipas rregullave të përcaktuara nga aktet e brendshme të rregullimit të veprimtarisë së noterëve. Noteri verifikon numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave aktive të ruajtura në Regjistrin e Barrëve Siguruese. Nëse mjeti rezulton i lirë nga baza e të dhënave të Regjistrit të Barrëve Siguruese, nënshkruan kontratën dhe i bashkëngjit konfirmimin përkatës. Nëse mjeti rezulton me detyrim nga baza e të dhënave të Regjistrit të Barrëve Siguruese, njofton palët duke iu vënë në dispozicion edhe konfirmimin zyrtar të detyrimit përkatës. Para nënshkrimit të kontratës noteri verifikon numrin e identifikimit të mjetit në bazën e të dhënave të DPSHTRR-së nëse dosja e mjetit është e bllokuar për arsye të ndryshme financiare dhe ligjore.

Nëse dosja e mjetit është e lirë nënshkruan kontratën. Nëse është e bllokuar njofton subjektet e interesuara bashkë me arsyen përkatëse. Më pas dërgon në formë elektronike për njoftim kontratën e nënshkruar dhe të vulosur në adresat elektronike të DPSHTRR- së. Noteri njofton subjektin blerës për përgjegjësitë dhe penalitetet financiare të parashikuara në nenin 93, të ligjit nr. 8378, datë 22.4.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në rast të tejkalimit të afatit prej 10 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes deri në kryerjen e shërbimit në sportelet e DPSHTRR- së për përditësimin e lejes së qarkullimit me ndryshimin përkatës.

KONTRATA E SHITBLERJES
Në formulimin e një kontrate noteriale, duhet të konsiderohen për përmbajtje dhe përshkim këto elemente:

1. Gjeneralitetet e plota të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit;
2. Adresat e vendbanimit të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit; 3. Të dhënat teknike të mjetit, si: Targa, numri i identifikimit, lloji, marka, emërtimi tregtar, ngjyra; 4. Numri i serisë së lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë vetëm kur mjeti është i regjistruar në DPSHTRR;
5. Përgjegjësitë ligjore dhe administrative;
6. Detyrimet financiare ndaj DPSHTRR-së;
7. Detyrimin që në një afat prej 10 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes të evidentohet personi në cilësinë e blerësit si pronar i mjetit në lejen e qarkullimit, për të shmangur penalizimin nga organet e ngarkuara me ligj.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: