Një 23-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi u kap duke transportuar me automjet shtatë shtetas të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Transit 4”, të finalizuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve për goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë operacionit, në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Urën Vajgurore. Në automjet ndodheshin shtatë shtetas të huaj, pesë nga Filipinet dhe dy nga Afganistani, të cilët, sipas policisë, po transportoheshin kundrejt pagesës.

Automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: