Ish- deputetja e PD, Izmira Ulqinaku ka shigjetuar sërish qeverinë dhe kryeministrin Rama për mosmarrje të masave dhe për lënie pas dore të Shkodrës e cila është një nga vatrat e COVID-19 në Shqipëri.

Ulqinaku thotë se Rama për të hequr përgjegjësit shkarkoi prefektin Millja dhe solli në vend të tij një politikan të vijës së tretë si Besfort Lamallari ndërkohë që në Shkodër sipas saj qëllimisht janë bërë më pak teste se kudo.

Ajo thekson se faji nuk është i qytetarëve për infektimin por prej mosmarrjes së masave, një dëshirë e Ramës që përfaqësuesit lokalë të Shkodrës e kanë kryer me përpikmëri.

 

STATUSI NGA IZMIRA ULQINAKU

Shkodrën e braktisën; e lanë në mëshire të fatit; e lëshuan qëllimisht në prehrin e Covid-19 që pastaj të nxjerrin dufin ndaj saj.
Tani, pasi panë se Covid-19 lëshoi rrënjë fort, i turren qytetit si bishat duke e sulmuar dhe fajësuar.

Po pse ka faj qyteti apo qytetarët që asnjë maskë nuk u soll në Shkodër?!
Kanë faj qytetarët shkodranë pse as stafit mjekësor nuk iu dhanë as maska e asnjë gjë, por u lanë në vijën e parë të frontit të luftës pa pajisje mbrojtëse e pa armatim.
Kanë faj policët shkodranë pse u trajtuan si të ishin armiq duke i lënë në mëshirë të Covid-19?!
Kanë faj qytetarët shkodranë pse pas rastit të parë të infektuar, Rama e ushtarët e tij as që u shqetësuan të bëjnë testime të personave të kontaktit apo gjurmimin e detyrueshëm?!

Është Edi Rama dhe qeveria, ajo që nuk i mbrojti dhe i hodhi si gur zari në terren forcat e FNSh, policët dhe ekipin mjekësor.
Nga njëra anë karantinohen qytetarët dhe nga ana tjetër lejohet puna në fasoneri ku vajzat e gratë punojnë ngjitur jashtë çdo standarti që kërkon distancimi social.
Kështu drejton Edi Rama me pafytyrësinë që e karakterizon!

Qeveria për të larguar përgjegjësinë nga vetja, sjell një politikan të vijës së tretë, në Shkodër, i cili akoma nuk e di ku ka ardhur, dhe nëpërmjet tij sulmon shkodranët sikur kanë fajin kryesor për përhapjen e virusit.

Qytetarët e të gjithë vendit e dinë tashmë që në Shkodër janë bërë më pak teste se kudo. Shkodra është lënë pas dore me dëshirë të Edi Ramës dhe ku përfaqësuesit e tij lokal e kanë zbatuar me përpikmëri duke mos sjellë kite testimi të mjaftueshme.
Shkodra ka kulturë aq sa ia ka transmetuar edhe qyteteve tjera, prandaj nuk është faji i qytetarëve për infektimin, por i qeverisë për mos marrje masash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb