SHKODËR

Një zjarr masiv ka shkrumbuar tre lokale në qendër të qytetit të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të teatrit “Migjeni”. Zjarri ka rënë rreth orës 3:25 të mëngjesit. Tre lokalet janë djegur totalisht, ndërsa nuk ka asnjë person të lënduar. Janë ende të paqarta arsyet e këtij zjarri.

Ngjitur me lokalet është edhe një pallat i lartë ndërsa është djegur edhe ashensori i këtij pallati. Ashensori nuk shërbente për banorët, por për një lokal që ndodhet në katin e fundit të këtij pallati. Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmitarëve në vendngjarje është dëgjuar një shpërthim që ata dyshojnë se mund të ketë ardhur nga njëri prej lokaleve dhe më pas zjarri është përhapur duke bërë që të digjet edhe vaji i ashensorit të lokalit që shërbente vetëm për lokalin në katin e fundit të pallatit duke shkrumbuar më pas gjithçka.

Gjithsesi efektivët zjarrfikës po bëjnë hetimet e plota për të nxjerrë se cilat janë shkaqet e këtij zjarri, nëse ka ardhur nga ndonjë prej lokaleve apo shkak ka qenë djegia e vajit të ashensorit. Banesat e tjera të pallatit kanë shpëtuar pa u djegur për shkak se ato kanë një ashensor tjetër të ndarë nga ai i lokalit, ndërsa kanë dëme materiale për shkak të tymit të konsiderueshëm. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse duke bërë shuarjen e flakëve dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje bashkë me efektivët e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb