Mes shkatërrimit dhe pasojave të luftës në Rripi i Gazës, dy motra 15-vjeçare kanë arritur të kthejnë një ide të thjeshtë në një histori frymëzuese suksesi. Farah Mousa dhe Tala Mousa kanë zhvilluar një mënyrë inovative për të prodhuar tulla nga mbetjet e ndërtesave të shkatërruara, duke fituar vlerësim ndërkombëtar për projektin e tyre. Për shpikjen e tyre, motrat u bënë palestinezet e para që fituan Earth Prize, një konkurs global që këtë vit shpërbleu fituesit me 12,500 dollarë.

Por për Farah dhe Tala, çmimi është vetëm fillimi. Ato synojnë ta përdorin fondin për të organizuar trajnime dhe punëtori për të rinjtë e tjerë, duke i mësuar si të prodhojnë tulla nga rrënojat dhe t’i përfshijnë në procesin e rindërtimit të komuniteteve të tyre. Që prej shkatërrimit të shtëpisë së familjes në vitin 2025, dy motrat jetojnë në një tendë. Pikërisht aty lindi edhe ideja e projektit të tyre. Duke mbledhur copa betoni dhe materiale të mbetura nga ndërtesat e shembura, ato i grimcuan dhe i përzien me argjilë, hi dhe qelq të pluhurosur për të krijuar tulla të lehta dhe me kosto të ulët.

Edhe pse këto tulla nuk janë të përshtatshme për ndërtesa shumëkatëshe, ato mund të përdoren për trotuare, kopshte, mure të ulëta dhe struktura të tjera të thjeshta, duke ofruar një zgjidhje praktike në kushtet e mungesës së materialeve ndërtimore. Motrat tregojnë se frymëzimin e gjetën pikërisht te pamjet e përditshme të shkatërrimit. Në vend që rrënojat t’i shihnin vetëm si simbol humbjeje, ato vendosën t’i kthenin në një mundësi për të ndërtuar diçka të re.

“Refuzuam t’i shihnim rrënojat vetëm si shenjë të shkatërrimit. Donim t’i shndërronim në një pikënisje për të ardhmen”, ka thënë Tala. Historia e tyre konsiderohet një simbol shprese për mijëra familje në Gaza, ku miliona njerëz janë prekur nga konflikti dhe ku nevoja për rindërtim mbetet një nga sfidat më të mëdha të viteve të ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: