Në ditën e pestë të revoltave studentore në Tiranë, të rinjtë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij. Në këtë lëvizje, vëmendje të veçantë merr fakti që studentët e Mjekësisë renditen në krye të protestës. Ata marshojnë të parët nga dyert e Universitetit për tek Ministria e Arsimit. Aty më pas bashkohen edhe studentët e fakulteteve të tjera. Kjo nuk është hera e parë që studentët e Mjekësisë janë në krye të një lëvizjeje studentore. Edhe në vitin 2018, ata u bënë pjesë e protestave që tronditën universitetet dhe çuan në mobilizimin e mijëra studentëve.
Dhe ndoshta, fakti që Mjekësia prin e para nuk është rastësi. Kjo mund të lidhet me qasjen ndryshe të tyre ndaj realitetit, lidhet me ndjeshmërinë ndaj drejtësisë, kontaktin e përditshëm me qytetarët dhe janë ata të parët që shohin vështirësitë e njerëzve
Mjekësia nuk përballet vetëm me sëmundjet, por edhe me pasojat e pabarazisë, mungesës së mundësive dhe problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Njw problematikw nevralgjike e sistemit tw shwndetwsisw krahas infrastrukturws spitalore wshtw edhe mungesa e barnave. Në spitale pajisjet nuk funksionojnë ose vihen në punë sipas interesave të caktuara, duke vënë në pikëpyetje të përditshme jetën e pacientëve.
Prandaj, prania e studentëve të Mjekësisë në krye të revoltës mund të shihet edhe si një mesazh përtej auditorëve, të rinjtë nuk duan të jenë vetëm spektatorë të zhvillimeve politike, por kërkojnë të kenë zë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Në ditën e pestë, kërkesa e tyre mbetet politike dhe e qartë, dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i qeverisë. Fakti që studentët vijojnë të dalin në rrugë tregon se pakënaqësia e tyre kërkon përgjigje.
