Analisti Eduard Zaloshnja tha në emisionin “Real Story”, në News24, se Presidenti Ilir Meta nuk do të bëjë një dekret për shpërndarjen e parlamentit, pasi sipas tij, ky acari i situatës, është thjesht një luftë nervash.

“Ky acarim i situatës, kur po flitej për hapje negociatash, i krijon Ilir Metës një mburojë, nëse dalin shumë njerëz në bulevard. Meqë nuk është institucioni që mund të ndajë shapin nga sheqeri mes Parlamentit dhe Presidencës, bëhet fjalë kush ka më shumë mbështetje në popull. Deri dje Lulzim Basha po bënte atë që ka bërë Edi Rama pasi humbi Bashkinë e Tiranës. Nuk do ta bëjë Meta një dekret për shpërndarje parlamenti. Është thjesht një luftë nervash”, tha Zaloshnja.

Po kështu mendon edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila deklaroi se Meta nuk mund dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pasi në të kundërt do të përballet me penalitete.

“Ai pretendon që të botohet në Fletore dhe ne thjesht të marrim çantat e të dalim nga Kuvendi, por ne nuk mund ta përfytyrojmë këtë. S’do e bëjë, s’mund ta bëjë dhe për të gjitha arsyet s’duhet ta bëjë, se ndryshe ka penalitete të tjera, shkelje të Kushtetutës. As nuk mund ta prodhojë, se nuk ka një nen të Kushtetutës. Mendoj se Reforma në Drejtësi shkon në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me degradimin e institucionit të Presidencës. Ne nuk e shohim si kundërshtar Presidentit, madje ne duam ta çlirojmë nga kafazi i Presidencës dhe të dalë me Bashën. Por, ne duam të fokusohemi te rindërtimi, pasi kemi marrë 1.15 miliardë euro nga bota. E vetmja gjë që po shkelet është kapadaillëku i atyre që na bëjnë të fortin në rrugë”, tha Spiropali.

Sulo: Sa i takon shifrës që the janë borxhe ato që kemi marrë.
Spiropali: Kredi të buta.
Sulo: Aftësia e qeverisë deri tani janë 300 milionë, këto janë shifrat. Po kushtin e Bundestagut
Spiropali: Po mo po. Është angazhuar vetë Angela Merkel.
Sulo: Angela Merkel s’po mban dot partinë e saj.
Spiropali: Ç’thua mo. Ne po bëjmë Reformën në Drejtësi.
Sulo: Ku po e bën?
Spiropali: Jemi në tryezë, erdhi dhe Petrit Vasili u ul në tryezë.
Sulo: Po po, e merrni tryezën e çoni sa te Pallati i Kongreseve…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb