KOSOVE-Një shpërthim i madh ka ndodhur mesnatën e së enjtes afër Kuvendit të Kosovës. Shpërthimi ka ndodhur në afërsi të garazheve të Kuvendit. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë rrethuar vendin ku ka ndodhur shpërthimi.

Bëhet me dije se nuk ka të lënduar, ndërsa autoambulancat dhe zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje. Policia dyshon se sulmi është kryer me predhë antitank por nuk ka akoma një konfirmim zyrtar. Policia e Kosovës ka zgjeruar hapësirën e hetimeve para Kuvendit të Kosovës.

Mediat kosovare raportojnë se sulmi është kryer me një mortajë krahu nga dy persona me motoçikletë, ndërsa pas kryerjes së sulmit ata e kanë djegur motoçikletën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Ky shpërthim ka ndodhur në ditën kur Qeveria ka derguar në Kuvend projekligjin për demarkacionin me Malin e Zi, nderkohë që opozita ka paralajmëruar veprime të dhunshme nëse i njëjti projektligj kalon edhe në Kuvend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: