TIRANË- Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, aleati më i ri i maxhorancës së majtë, në një intervistë për “Panorama” i bën thirrje Kryeministrit Rama që të ndërmarrë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar. Idrizi thekson se kabineti Rama ka nevojë për emra, stil dhe përmbajtje të re. Sipas kreut të PDIU-­së, kompozimi aktual i qeverisë e ka dhënë mesazhin e tij këto dy vite qeverisje, ku shqiptarët po largohen nga vendi.

“Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto 2 vite. Nuk po gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por po them se ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptaret po ikin. Kjo duhet të ndryshojë. E nëse ky ndryshim kërkon edhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtjeje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo. Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptareve që rendin ta braktisin Shqipërinë”, thekson ai.

Idrizi bën presion ndaj kreut të qeverisë që t’i japë PDIU-­së përfaqësim në të gjitha nivelet e qeverisjes, edhe në post ministri. Shpëtim Idrizi ka komentuar dhe çarjen e përfolur mes së majtës, duke thënë se në rast se dy forcat kryesore të maxhorancës nuk do të arrijnë të bashkëqeverisin, atëherë ato duhet t’u drejtohen zgjedhjeve të parakohshme.

Zoti Idrizi, PDIU-­ja në zgjedhjet e fundit vendore i shtoi votat e saj në të gjithë vendin, duke qenë pjesë e koalicionit të maxhorancës “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Pas këtij rezultati, pozicionimi juaj parlamentar do të vijojë me maxhorancën?
Jo, PDIU-­ja nuk shtoi votat. PDIU­-ja u rrit. PDIU-­ja dëshmoi se është parti tërësisht me qëndrueshmërinë dhe rritjen e saj sipas meritës. Vendimet e forta politike mirëpriten dhe arsyetohen si vendime politike në favor të kauzave dhe interesave tona politike si parti. Ne nuk lexohemi e as interpretohemi e as votohemi me, si parti që pret e zbaton vendimet e partive të mëdha. Ne lexohemi, interpretohemi dhe votohemi si parti që merr vendimet e saj të mëdha a të vogla…

Ndaj edhe ne jemi ende në diskutime për implementimin e marrëveshjes për pushtetin vendor që kemi bërë me koalicionin tonë ASHE, në bazë të peshës konkrete politike dhe elektorale të PDIU-­së në bashkitë e fituara nga ASHE. Roli dhe pozicioni ynë parlamentar është çështje e vendimeve të vogla apo të mëdha që ne do të marrim si parti sovrane. Sikurse e kemi deklaruar edhe më parë, konfirmoj vullnetin tonë pozitiv për një bashkëpunim të gjerë edhe në qeverisjen qendrore. Gjithçka mbetet për t’u parë dhe verifikuar hap pas hapi. Gjithçka varet nga vijueshmëria dhe cilësia e negociatave që ne po zhvillojmë me drejtuesit e shumicës qeverisëse.

E theksoj, nuk ka negociata për porcione pushteti, por për mundësi kontributi e shërbese, që t’i ofrojmë qeverisjes qendrore dhe lokale kapacitetet tona njerëzore me idealizmin dhe vlerat e tyre profesionale e morale. Ne si parti, ndihemi parti e nxitjes së shpresës. Kontributi ynë dhe shërbesa jonë, në qeverisjen qendrore dhe lokale, ka pikërisht këtë qëllim: Të rilindim e nxisim shpresën. Mjaft më me një Shqipëri ku shqiptarët më parë zgjedhin të ikin, sesa të na besojnë ne politikanëve dhe institucioneve të shtetit tonë. Na takon të bëhemi politikanë më të përgjegjshëm. Duhet t’u kërkojmë të falur ndershmërisht dhe thellësisht qytetareve tanë për keqbërjet dhe dështimet tona si politikanë.

Unë marr përsipër të kërkoj të falur për përgjegjësinë, keqbërjet dhe dështimet e politikës shqiptare në këto 25 vite. Ju kemi zhgënjyer, të dashur qytetarë shqiptarë. Ju kemi zhgënjyer thellë dhe ju kemi vrarë ëndrrat, shpresat dhe besimin. Por mos u largoni nga Shqipëria. Ka ende shpresë në Shqipëri. Shqipërinë mund e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Shqipërinë mund e do ta bëjmë duke e parë në sy njëri-­tjetrin, duke pranuar gjithçka kemi bërë e ka shkuar keq, duke kërkuar të falur për përgjegjësitë tona e duke i dhënë njëritjetrit mundësinë për një rinisje, ringritje, ripërtëritje apo edhe Rilindje, nëse doni ta quajmë kështu.

Shqipëria mund e duhet të bëhet. Sa më të përgjegjshëm të bëhemi, aq më shumë mundësi do t’i japim një marrëveshjeje të re mes njëritjetrit të gjithë ne shqiptarët. Na duhet marrëveshje e re e bërjes së Shqipërisë Europë. Ja këtë nivel e frekuencë idealesh, kauzash, besimi e vlerash mbart PDIU-­ja në negociatat e saj për përfshirjen në qeverisjen qendrore dhe lokale. Duam të jemi zëri dhe thirrësit brenda politikës dhe institucioneve shtetërore, për një marrëveshje të re mes shqiptarëve. Na duhet kjo marrëveshje e re, për një besim e shpresë të re që Shqipëria bëhet.

Ne po ndjekim, presim e zhvillojmë negociata me drejtuesit e shumicës qeverisëse, e gjithçka varet nga cilësia dhe ecuria e zbatimit të marrëveshjes sonë për bashkëqeverisje në nivel qendror dhe lokal. Qëndrimi ynë në Kuvend do të jetë me siguri i ndërvarur nga ky proces negociatash. Ne jemi kërkues dhe mirëbesues në këto negociata për trajtimin e pikëtakimeve programore midis PDIU­-së dhe shumicës qeverisëse, duke përfshirë këtu ide dhe risi për mbështetjen e reformave ekonomike e institucionale, e për plotësimin e 5 kritereve dhe përmbushjen e detyrimeve tona institucionale, ekonomike dhe shoqërore për plotësimin e standardeve, që jo vetëm na përafrojnë me BE-­në, por që na bëjnë vend të merituar për në BE.

Do të kërkoni mbi këtë bazë të keni një përfaqësim në qeveri me post ministri apo zëvendësministri, apo do të keni përfaqësime vetëm në rang drejtorësh?
Fryma jonë si PDIU ka qenë gjithmonë e çiltër. Ndonëse parti e rëndësishme politikisht dhe elektoralisht, ne kahera e kemi parë kontributin dhe shërbesën tonë në qeverisje jo si çështje ofiqesh, por si çështje mundësie për të përfaqësuar vlerat dhe zërin e qytetarëve që kërkojnë idealizmin, profesionalizmin, meritokracinë dhe vlerat morale. Ndonëse qartësisht të konfirmuar edhe në këto zgjedhje të 21 qershorit si forca e katërt politike në vend, ne kemi kontribuar dhe shërbyer me dinjitet e pasion institucional dhe kombëtarist për të sjellë risi, vlera e shpresë. Pra, nuk është çështje ofiqesh, është çështje parimesh dhe mundësish për të kontribuar e shërbyer.

E duke qenë se po flasim edhe për politikë konkrete dhe peshë konkrete politike dhe elektorale, ne besojmë se jo thjesht për shkak të numrave, por për shkak të cilësisë e vlerës që përfaqëson politikisht dhe elektoralisht PDIU-­ja, ne e meritojmë që të kontribuojmë dhe shërbejmë në të gjitha nivelet e qeverisjes, nga ato parësore deri tek ato dytësore e më poshtë. Kemi kapacitete të shkëlqyera që mund ta bëjnë ministrin dhe çfarëdo roli tjetër ku kërkohet kontribut dhe shërbesë e dëlirë, profesionale dhe vlerore. Ne gjithnjë thithim burime të reja njerëzore, kuadro të rinj, si e treguam me ekipet tona që punuan për programin qeverisës të pushtetit vendor, e vetmja parti me program në këto zgjedhje. Vota për PDIU-në është votë kryesisht e re, dhe ne jemi parti e së resë.

Ditët e fundit ka shumë komente për mundësinë e një “çarjeje” ose ndryshimesh raportesh në koalicion, ju si PDIU, ku e gjeni veten në këto zhvillime?
Ne si PDIU nuk jemi në politikë për t’u bërë sehir ndarjeve e as bashkimeve të partive apo liderëve politikë, por për të inkurajuar frymën e bashkëpunimit parimor mes të gjithëve. Shqipëria ka nevojë për parti dhe liderë që ndahen apo bashkohen vetëm në parime, për parime, me parime, e me arsye kryesore Shqipërinë dhe qytetarin shqiptar. Çdo detaj tjetër është pjesë e pasojave dhe shkaqeve për të cilat ne politikanët shqiptarë duhet të ndihemi të turpëruar e të kërkojmë ndjesë. E jo më të vazhdojmë sërish, me dashuri – intrigat tona personale, private a partiake.

Nuk më intereson fare asnjë lloj detaji që flet, kërkon, paralajmëron apo shkakton çarje a bashkime të natyrës personale, private apo partiake. Shoh e ftoj çdo qytetar shqiptar e çdo udhëheqës a përfaqësues politik që të shohim të gjithë së bashku thellë në nevojat që ka shpresa, e sotmja dhe e nesërmja jonë e përbashkët. Çarjet dhe bashkimet mund të sjellin lajme të bujshme dhe ndoshta edhe tërmete politike, por nuk sjellin as shpresë, as të sotme e as të nesërme. Çarjet dhe bashkimet e kësollojshme janë thjesht e djeshme e trishtë dhe e pashijshme. PDIU-­ja qëndron larg kësaj mendësie. Nëse ka ndarje parimore dhe të dinjitetshme, le të ndodhin. Nuk ka pse të kemi frikë nga ndarje të tilla. Sikurse nuk ka pse të kemi frikë edhe nga ballafaqimi me qytetarët tanë, sa herë ne nuk bashkëqeverisim dot për të mirën e qytetarëve tanë. Kur ka ndarje parimore, edhe ballafaqimi me popullin është procesi më i natyrshëm. Ne politikanët nuk duhet t’u trembemi e as t’u shmangemi ballafaqimeve me popullin tonë. Tek e fundit votohemi që të jemi të përgjegjshëm dhe që t’u shërbejmë e t’u japim llogari qytetarëve tanë…

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: