TIRANË- Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi do të jetë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Me 73 vota pro, parlamenti miratoi sot një propozim të grupit parlamentar të PDIU-së për zgjedhjen e z. Idrizi në postin e nënkryetarit të parlamentit. Kjo detyrë e Kreut të PDIU-së, vjen gati një muaj pasi Idrizi vendosi ti bashkohet koalicionit të majtë, Aleanca për Shipërinë Europiane për zgjedhjet lokale.
Por menjëherë pas zgjedhjes së Idrizit, Vangjel Dule ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Parlamentit, detyrë që e mbante që prej shtatorit të 2013-ës.
Nga marrëveshja me PS, PDIU-së iu la e drejta të vendoste tri kandidatura për kryetarë të bashkive, të cilët do të garojnë nën siglën e koalicionit për “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Tashmë partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka propozuar për Bashkinë Rrogozhinë Beqir Nuredinin, në Peqin Saimir Hasallan dhe në Konispol Shuaip Beqirin.
RRËZOHET DEKRETI I NISHANIT PËR LIGJIN PËR SHËRBIMIN E JASHTËM
Po sot Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar me 74 vota kundër, 1 pro dhe asnjë abstenim dekretin e Presidentit Bujar Nishani për ligjin për shërbimin e Jashtëm. Për të rrëzuar dekretin mjaftonin të paktën 71 vota kundër.
Gjatë diskutimeve për këtë projektligj, deputetja dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade tha se vërejtjet e Presidentit Nishani nuk përbëjnë shqetësim. Në nisje të fjalës së saj Dade kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e opozitës për të përmbushur sfidat që çojnë drejt integrimit në BE.
“Puna jonë është ta çojmë vendin në destinacionin ku jemi nisur. Do donim që këtë rrugë të gjatë dhe me sfida ta përshkojmë së bashku. I takon opozitës të vendosë nëse do ti bashkëngjitet maxhorancës në rrugën drejt BE-së. U fol për vota të vjedhura, dua t’ju kujtoj opozitarëve që kanë kandidatë që janë në ndjekje penale, kanë kandidatë që kanë shkatërruar mjedisin. Unë nuk dua të bie në të njëjtat gabime që të merrem me gjithçka përveç dekretit të presidentit. Sipas rregullores komisioni përgjegjës shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe nuk ka pse të merret me çështje të tjera. Komisioni për Politikën e Jashtme e ka diskutuar disa herë çështjen e Maqedonisë dhe çështje të tjera. Në diskutimet e përfaqësuesve të MPJ-së, në mbledhjen për miratimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, Komisioni bëri një punë shteruese dhe vërejtjet e Presidentit nuk përbëjnë shqetësim”, tha Dade.
(m.k/BalkanWeb)
