Në momentin kur polemika shtohet pse Perëndimi përshëndet si kofini pas të vjelave fitoren elektorale të rinisë serbe, të cilën kancelaritë nuk e mbështesnin kur ajo protestonte, ekzakt si me heshtjen e tanishme të kancelarive për protestat në Shqipëri, një ngjarje e papritur por aq simbolike po e fut vetë Perëndimin në kurthin e tij të dy standarteve me të dyja këmbët. Kylian Mbappe e quajti Mao Ce Dungun diktator sepse i kishin bërë një fotomontazh me të për shaka. Mbappe as emrin nuk ia dinte Maos, por thjesht duke i parë fytyrën që i kujtonte dikë reagoi: “Pse ma keni bërë fotomontazhin me një diktator kinez?”. Valë indinjate në Kinë dhe hakmarrje e menjëhershme e regjimit kinez me pasoja ekonomike.
Automatikisht pasoi prerja e çdo kontrate reklamash të Mbapese me firma kineze, si dhe prerja e kontratës së majme të transmetimeve të ndeshjeve të kampionatit spanjoll Liga në televizionin kinez. Jo vetëm pronarët e Realit të Madridit, por dhe presidenca e Ligës e bënë qepaz yllin francez për këtë gafë politike dhe e detyruan t’i kërkojë menjëherë popullit kinez falje publike.
Të njëjtën gjë bën dhe vetë presidenti i Ligës, Javier Tebas. Por ndjesat e formuluara nga Kylian Mbappé dhe nga Liga përballë Kinës po shkaktojnë një valë indinjate dhe zemërimi në Evropë, në rrjete sociale, te tifozët, te analistë politikë. Liga, Reali, Mbape kritikohen tani ashpër se zgjodhën të sakrifikojnë lirinë e shprehjes — një vlerë themelore në Evropë — mbi altarin e fitimeve që marrin nga kontratat komerciale. Dhe për çfarë? Për një të vërtetë historike, që regjimi kinez mund ta mohojë, por jo vendet demokratike. Bilanci i përgjakshëm i Maos përmban dhjetëra miliona të vdekur, duke e bërë atë, historikisht dhe faktikisht, një nga diktatorët më të mëdhenj të shekullit të XX-të.
Në rrjetet sociale flitet për “kapitullim moral”. Për fansat spanjollë, të shohësh Ligën të bëjë mea culpa gjeopolitike në emër të të gjitha klubeve spanjolle është një poshtërim kombëtar dhe një nënshtrim ekonomik absolut ndaj kinezëve. Sapo preket portofoli, bindjet dhe liria e tonit zhduken në çast. Por kritika më e rëndë dhe në formë satire është për Mbapenë.
Mbrëmë humbi Topin e Artë (Ballon d’Or) dhe sot është gati për një Kinë të Artë (China d’Or). Pritet për të parë tani nëse do të ketë reagime nga klasa politike, veçanërisht në Francë në fushatë zgjedhore dhe ku për lirinë e shprehjes dhanë jetën gazetarë dhe karikaturistë, viktima të atentateve islamiste.
