Sot, në ditën e përurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ne, shqiptarët, kemi të drejtë të krenohemi për disa të vërteta që do t’i bënin nder çdo vendi anëtar të Aleancës. Vështirë të gjendet një vend anëtar i Natos, i cili pas vetëm një dekade e gjysëm anëtarësimi në Aleancë, të jetë bërë një partner i denjë, i sinqertë dhe kontribues efektiv për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë, si objektiva kryesore të Aleancës. Janë të rralla vendet anëtare të Aleancës, kontributi i të cilave për paqen dhe sigurinë dhe vetë NATO-n të jetë kaq shpërpjestimor në raport me madhësinë e një vendi.

Për dikë që njeh kontributet e Shqipërisë në NATO, për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është e vështirë të kuptojë se si është e mundur që një vend kaq i vogël të ketë një kontribut kaq të madh. Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dimë vetëm ne, shqiptarët, sepse për ne anëtarësimi në Aleancë është një fakt ekzistencial, që buron nga rrënjët, identiteti dhe aspiratat tona paqedashëse. Një popull që e ka provuar mungesën e lirisë, bën gjithshka për mbrojtjen e saj. Ne kemi të drejtë të krenohemi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të mëdhenj, anëtarë historikë të NATO-s, kanë krijuar bindjen se nëse ka një vend anëtar të ri të Aleancës që mbështet qartësisht, vendosmërisht dhe pa asnjë dilemë vendimet e saj, ky vend është Shqipëria.

Unë ndjehem krenare që ashtu si populli shqiptar është populli më proeuropian dhe më proatlantik i rajonit, edhe Kuvendi i Shqipërisë ka dëshmuar besnikëri ndasj kësaj vlere të çmuar të shqiptarëve, përkushtimit tonë pa kushte për paqen. Kuvendi ka qenë ndër të parët parlamente të anëtarëve të Aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj. Këtë e kemi bërë të udhëhequr nga vizioni se një anëtar i ri është një kontribues më shumë për paqen dhe sigurinë. Unë jam ndier krenare kur kolegët kryeparlamentarë të shteteve anëtarë të rinj të Aleancës më kanë shprehur admirimin për këto qëndrime të Shqipërisë, të parlamentit dhe qeverisë së saj.

Ky territor ka rreth tre çerek shekulli që është ndërtuar si bazë ushtarake. Por në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë nuk u ka shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit, siç po fillon të shërbejë nga dita e sotme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: