Në morinë e komenteve dhe analizave të Euro 2024, veçmas për grupin ku bën pjesë edhe Shqipëria, nuk mund të mungonte edhe mendimi i ish-trajnerit të Kombëtares, Gianni de Biasi.

Në një intervistë për median kosovare Koha, De Biasi është i vetëdijshëm që kuqezinjtë janë në grup shumë të vështirë, por shpreson që Shqipëria të paraqitet mirë dhe në fund të bëjë befasi të madhe.

“Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë, megjithatë Shqipëria ka ekip cilësor. Nuk krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por mos harrojmë që në radhët e këtyre futbollistëve ka shumë lojtarë të impenjuar në ligat përkatëse dhe në kompeticionet evropiane. Mendoj se Shqipëria do të jetë më e freskët dhe shpresoj të jetë befasia e madhe e këtij grupi”, u shpreh De Biasi, i cili kualifikoi për herë të parë Kombëtaren shqiptare në një Evropian.

Së fundmi, De Biasi është njëri prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Kosovës. Ai pohoi se është i gatshëm ta udhëheqë Kosovën. “Deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë thirrje nga Agim Ademi apo dikush tjetër në Federatën kosovare. Do të isha i lumtur nëse Kosova më fton, sepse mendoj se ka lojtarë të mirë dhe besoj se është e mundur të bëjmë diçka siç kemi bërë me Shqipërinë”, – përfundoi De Biasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb