Kombëtarja e meshkujve në volejboll nuk i ka nisur mirë ndeshjet e vlefshme për Grupin B në ‘European League’. Kuqezinjtë e drejtuar nga Jani Melka janë mundur me rezultatin 3-0 nga Bjellorusia në ndeshjen e zhvilluar në Minsk.

Një Shqipëri që luajti në përgjithësi mirë edhe pse ky është një ekip me shumë ndryshime nga ai i një viti më parë, duke rivalizuar denjësisht ndaj vendasve, që arritën të mposhtin me vështirësi në pikët e fundit kuqezinjtë.

Dy setet e para janë fotokopje të njra-tjetrës, me shumë barazime dhe emocione, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra. Rezultati është i hapur deri në fund, por vendasit tregohen më të saktë e kujdesshëm. Të mbështetur edhe nga publiku, bjellorusët fitojnë me shifrat e njëjta 25-23 dy setet e para, duke udhëhequr 2-0 me sete. Ky disavantazh duket sikur ul disi ritmin e tanëve, që në setin e tretë luajnë me hope dhe gabojnë më shumë. Bjellorusia përfiton dhe fiton 25-21, duke korrur kështu fitoren e parë. Për kuqezinjtë ndeshja e dytë në Hungari, ndaj kombëtares vendase më 23 maj.

Bjellorusi – Shqipëri 3-0 (25-23, 25-23, 25-21)

BJELLORUSIA: Radziuk, Audochanka, Udrys, Busel, Khmialeuski, Shmat, Zabarouski, Burau, Pranko, Miskevich, Budziukhin, Tsiushkevich, Kurash, Davyskiba. Trajner: Viktar Beksha

SHQIPËRIA: Kola, Gjoklaj, Koçi, Arapi, Husaj, Malaj, Qepa, Kula, A.Qafarena, Çullhaj, Baruti, Gaxiri, Bërdufi, Deliu. Trajner: Jani Melka

Gjyqtarë: Piotr Krol (Poloni), Yury Bakunovuich (Bjellorusi)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb